Do të ishte bërë lajm në mbarë vendin shpërthimi eventual i një sasie të madhe gazi, e cila rridhte nëntokë në të paktën tre vende e rrezikonte një lagje të tërë në Filadelfia të Shteteve të Bashkuara.
Por për shkak të këtij qeni dhe ngulmimit të tij, nuk ndodhi asgjë. Qeni i quajtur Kobe, nisi të gërmojë në cepin e oborrit të shtëpisë, derisa gropa nisi të bëhej aq e madhe saqë tërhoqi vëmendjen e pronarëve të banesës. E zonja, e cila kishte lëvizur në banesën në fjalë prej pak muajsh, vuri re se qeni saj po bënte disa veprime që nuk ishin karakteristike të tij. Me të kontrolluar gropën, ajo ndjeu erën e gazit.
Kur zjarrfikësit mbërritën në vendin e ngjarjes, i shpjeguan gruas se me gjasa qeni i saj kishte shpëtuar të gjithë lagjen nga një shpërthim i mundshëm që do të kishte sjellë dëme të mëdha.
“Neve na thanë se rrjedhja e gazit do të kishte patur pasoja serioze në shëndet, me dëme serioze në mushkëri e tru e deri në vdekje. Më thanë gjithashtu se ndezja e fikja e një drite do të kishte mjaftuar për të shkaktuar ndezjen e gazit e një shpërthim të madh”-tregoi gruaja, pronarja e qenit.
Siç rezultoi më vonë në tubacionet që rrethonin shtëpinë dhe ato pranë saj, kishte të paktën 3 rrjedhje gazi nga vjetërsia e tubave, rrjedhje të cilat do të rrezikonin të gjithë lagjen.