Një qytet i lashtë është zbuluar së fundmi në Amazonë (në Ekuador), i mbuluar për mijëra vite nga bimësia e dendur e xhunglës masive. Zbulimi është kryer përmes një teknologjie të quajtur LIDAR (lajdar) e cila përdor lazera lëshuar nga lartësia për të penetruar mbi bimësinë e për të identifikuar struktura kryer nga dora e njeriut.
Falë edhe nisjes së gërmimeve arkeologjike, studiuesit kanë mundur të zbulojnë qytetin i cili mendohet të jetë 2500 vjeçar dhe që mund të ketë patur një popullsi prej qindra mijëra banorësh.
Zbulimi është i rëndësishëm pasi në optikën standarde arkeologjike, pak ose aspak rëndësi i është dhënë zonës së Amazonës, me idenë se atje civilizimet e lashta nuk kanë ekzistuar. Por nga ajo që zbulohet vit pas viti, rezulton se në fakt është krejt e kundërta.
Nga ajo çka është zbuluar deri më tani, janë pasazhe që dikur kanë shërbyer si rrugët e qytetit si dhe një rrjet i komplikuar kanalizimesh.
“Ky vend është më i vjetër se çdo vendbanim tjetër i gjetur në Amazonë. Ne kemi një qasje eurocentrike mbi civilizimin, por ky zbulim tregon se duhet të ndryshojmë optikën tonë mbi kulturën dhe civilizimin në tërësi”-tha profesori Stephen Rostain, drejtues i ekspeditës arkeologjike atje.
Falë teknologjisë LiDAR, studiuesit mundën të zbulojnë afro 6 mijë sruktura katërkëndore, ku secila kishte përmasa 20m me 10 metër, ndërsa lartësi prej 2-3 metrash. Strukturat në fjalë ishin të ndërtuara në çifte me 3 deri në 6 ngrehina dhe të vendosura përreth një platforme qendrore që duket se shërbente si ‘qendra’ e qytetit. Shkencëtarët besojnë se shumë prej strukturave kanë shërbyer si banesa, ndërsa disa të tjera si godina ceremoniale. Në njërin kompleks, në Kilamope, u gjet një platformë me përmasa 140 metër me 40 metër. Struktura ishte krijuar duke gërmuar në një kodër ndërsa pjesa e sipërme ishte sheshuar për të shërbyer si platformë.
Sistemi i rrugëve ndërkohë, i ndërlidhur me strukturat në fjalë, shtrihej në një gjatësi prej afro 25 kilometrash.