“Kam 3 fëmijë të vegjël” Zjarri përpin 5 banesa në Burrel, flasin banorët

Një zjarr i cili dyshohet të ketë nisur si pasojë e një shkëndije elektrike, ka shkrumbur 5 banesa ngjitur njëra- tjetrës në Burrel. Ngjarja ndodhi në orët e mbrëmjes së të premtes. Fatmirësisht asnjë prej banorëve të këtyre shtëpive nuk u lëndua.

Një ditë më vonë, familjarët janë rikthyer në orvatje për të shpëtuar diçka nga banesat të cilat ndanin të njëjtën çati dhe strehonin 5 familje me mundësi të pakta ekonomike.

Një prej banoreve, një nënë, tregon se ka mbetur në qiell të hapur me 3 fëmijët e saj të vegjël.

“Nga ora 07:20 kam dalë dhe kam ikur tek puna, Kam lënë 3 fëmijët brenda. Pasi kanë mbaruar shkollën, fëmijët kanë shkuar direkt tek tezja e tyre, motra ime. Vetëm kur më ka marrë komshija në telefon dhe më ka thënë që të “është djegur shtëpia”. Kur kam ardhur, kam parë vetëm flakët, asgjë tjetër. Fëmijët kanë qenë tek tezja e tyre. Mbrëmë kemi qëndruar tek motra ime. Kërkoj të strehoj fëmijët në ndonjë shtëpi. Shumë të vështirë e kam jetesën tani me 3 kalamaj të vegjël”, thotë gruaja mes lotëve.

Pas shuarjes së flakëve, autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar se cili ka qenë shkaku i zjarrit. Dyshimet janë për një shkëndije elektrike në njërën prej banesave, e cila më tutje ka sjellë flakët që janë shpërndarë shpejt në të gjitha shtëpitë.