Harqe e shpella 30 metra të larta, pamje spektakolare nga ajsbergu më i madh i planetit

Erozioni prej ujit të oqeanit, dallgëve disa metra të larta dhe erës së fortë, duket se po skulpton ajsbergun më të madh të planetit, i njohur si A23a.

Një anije ekspeditë e cila lundroi së fundmi në kontinentin e Antarktidës, ka mundur të fotografojë harqet dhe ‘shpellat’ masive të hapura në ajberg, për shkak të erozionit.

“Pamë dallgë 4 metra që përplaseshin tek ajsbergu e kishin krijuar kaskada akulli”-tregoi për BBC-në drejtuesi i eskpetidës Ian Strachan.

Ajsbergu A23a me një sipërfaqe prej afro 4 mijë kilometrash katrorë, u shkëput nga Antarktida në vitin e largët 1986, por mbeti i ngecur në dyshemenë e oqeanit për më shumë se 30 vite, derisa vitin e kaluar u shkëput prej aty dhe tanimë ka ‘udhëtuar’ për qindra kilometra larg kontinentit të akullt.

Nga ajo që mund të dallohet në fotot e kapura me dron, shihet se një pjesë e mirë e ajsbergut është zhytur në mjegull. Kjo ndodh për shkak të përmasave kolosale të ajsbergut, i cili është i aftë të ‘krijojë’ një mikroklimë të tijën.

Richard Sidey, videografi që shkrepi fotot e filmoi videot, tha se ajsbergu është aq i madh, saqë nuk mund të kuptohet duke e parë.

“Është jashtëzakonisht masiv. Faktikisht, unë mendoj se nuk mund ta rrokim dot përmasën e ajsbergut, mund ta kuptojmë vetëm falë shkencës. Sigurisht që ajsbergu është tepër i madh për t’u fotografuar, sepse shtrihet aq larg sa mund të shohësh, në të dyja drejtimet.”