Vajza 8 vjeçe rrezikon të mbytet, momenti kur oficerja në Vermont i shpëton jetën vogëlushes

Mishel Arçer (Michelle Archer) ndodhej në patrullë në momentin kur dëgjoi në radio se pranë vendit ku ndodhej ajo, në një banesë private, dy vajza të vogla kishin rënë në një pellg uji dhe po mbyteshin.

Oficerja nga Vermonti i Shteteve të Bashkuara vrapoi drejt ngjarjes. Pak minuta më vonë, u përball me një pamje të rëndë. Në pellgun e veshur nga një cipë e hollë akulli, një vajzë e vogël qëndronte zhytur nën ujë, në grahmat e fundit. Oficerja hyn menjëherë në ujin e ftohtë, noton drejt vajzës dhe arrin ta nxjerrë në kohë nga uji. Ajo nis të kryejë masazh mbi vajzën dhe në një moment vogëlushja nis të marrë frymë. Vajza ishte veçse 8 vjeçe. Pak momente më vonë mbërrin ambulanca e cila dërgon me urgjencë 8 vjeçaren në spital.

I gjithë momenti i shpëtimit të vogëlushes është filmuar nga kamera trupore e oficeres.

8 vjeçarja tanimë ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Media vendase raportoi se ajo kishte qenë me të motrën më të vogël, duke luajtur në pellgun e veshur me akull. Në një moment akulli është thyer dhe vajzat kanë rënë në ujë.

Motrën më të vogël mundi ta shpëtojë një burrë në moshën 80 vjeçare, i cili kishte shtëpinë pranë pellgut të ujit. Me të shpëtuar njërën vajzë, ai ka lajmëruar policinë, në pamundësi për të mbërritur tek 8 vjeçarja.