Një tragjedi që mund të kishte përfunduar me shuarjen e një familje të re. Mëngjesin e të hënës një masiv shkëmbor është shkëputur nga mali pranë fshatit Çarçovë dhe është rrokullisur për afro 100 metra, para se të ndalojë e më pas përplaset në shtëpinë e një familje disa anëtarëshe.
Shkëmbi ka goditur dhe shembur dhomën ku flinin një 25 vjeçar me të shoqen dhe fëmijën e tyre dy vjeçar.
Gruaja dhe fëmija kanë shpëtuar mrekullisht, por 25 vjeçari ka mbetur i ngecur pasi një pjesë e masës shkëmbore i ka zënë gjymtyrët e poshtëm, duke ia pamundësuar lëvizjen. Policia, zjarrfikësit e ambulanca kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe pas disa orëve orvatje, kanë mundur të nxjerrin prej aty të riun. Ky i fundit është transportuar me urgjencë në spitalin e Janinës.
Ende nuk dihet gjendja shëndetësore e 25 vjeçarit.
Përmet/Informacion paraprak
Mëngjesin e sotëm, në fshatin Çarçovë, një masë shkëmbore ka rrëshqitur nga mali dhe ka rënë në banesën e shtetasit Dh. V., 25 vjeç. Si pasojë, ka mbetur i bllokuar në banesë, 25-vjeçari, të cilit një pjesë e masës shkëmbore i ka zënë gjymtyrët e poshtme dhe i ka pamundësuar lëvizjen. Shërbimet e Policisë, zjarrfikësit dhe autoambulanca kanë mbërritur në vendngjarje, ku po punohet për nxjerrjen e tij.