Pamje, momenti kur 65 vjeçari shpëtohet nga uji akullt… ‘hero’ i ditës qeni i tij dhe një oficer policie

Kishte dalë për shëtitje me qenin, kur papritur akulli ku shkelte u thye dhe ai ra brenda në ujë. Për afro çerek ore qëndroi në ujin e akullt, derisa një oficer ndërhyri në kohë për ta shpëtuar… ndërsa oficerin vetë, e “lajmëroi” qeni i personit që ra në ujë.

Kështu ka ndodhur pak ditë më parë në Miçigan të Shteteve të Bashkuara, atje ku një 65 vjeçar i shpëtoi vdekjes falë qenit të tij. Burri po ecte pranë liqenit Arbutus, sipërfaqja e të cilit kishte ngrirë plotësisht. Gjatë ecjes me qenushen e tij e quajtur Rubi, burri papritur bie pasi akulli në liqen çahet.

Shumë kalimtarë panë ngjarjen dhe njoftuan policinë. I pari që mbërriti në vendin e ngjarjes ishte një oficer i quajtur Kammeron Bennets. Me të shkuar në vendin e ngjarjes, oficeri pikasi burrin e zhytur në ujin e akullt, ndërsa qeni i qëndronte pranë. Shkuarja drejt 65 vjeçarit dukej e rrezikshme për shkak të çarjeve që kishte pësuar shtresa e akullit.

Kësisoj oficeri i kërkoi 65 vjeçarit që ta komandonte qenin drejt tij. 65 vjeçari i tha Rubit ta lërë e të niset drejt oficerit, gjë që qeni e bëri. Oficeri më tutje lidhi një litar tek qeni, së bashku me një disk shpëtimi. 65 vjeçari thirri më tutje qenin dhe mundi të kapë diskun e lidhur me litar.

Oficeri mundi ta nxjerrë nga uji burrin e ta tërheqë për disa metra në një zonë më të sigurt, atje ku zjarrfikësit mundën ta shpëtojnë.

65 vjeçari qëndroi për të paktën 16 minuta në ujin e akullt dhe siç shpjegoi oficeri për median e huaj, “ishte një mrekulli që gjithçka shkoi për mirë”.