Sapo ishte martuar, shkoi të festojë ditëlindjen e kushëririt… fundi tragjik i 30 vjeçarit shqiptar në Itali

Media italiane i ka kushtuar një artikull vdekjes tragjike të një 30 vjeçari shqiptar të quajtur Dorjo Duka, i cili ndërroi jetë si pasojë e një aksidenti të ndodhur në veri të Italisë, në komunën e  Pordenone.

I riu ishte nisur nga Tirana drejt Italisë me të motrën, për të takuar të afërm dhe për të festuar ditëlindjen e një kushëriri me të cilin ishte shumë i lidhur.

Më 21 janar, ai udhëtonte në makinën e tij ‘Fiat’ me kushëririn në moshën 25 vjeçare. Aksidenti ndodhi pranë urës Meduna në Pontebbana, kur makina e të ndjerit u përplas kokë më kokë me një automjet i tipit ‘Mercedes’.

Media vendase shkruan se shoferi i Mercedesit, një 45 vjeçar me origjinë nga Trevigiano, ka hyrë në korsinë e kundërt, duke u bërë kështu shkaktar i aksidentit tragjik.

Media italiane thekson më tutje se i vetmi ngushëllim në këtë dramë të madhe përjetuar nga familjarët e të ndjerit, është fakti se kushëriri 25 vjeçar i Dorjos duket se do të mund të shpëtojë. Ai u dërgua në gjendje kritike në spital, por së fundmi gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar.

Dorjo Duka punonte në një ndërmarrje ndërtimi. Ai ishte matuar më 12 janar të këtij viti me Irisin, të fejuarën e tij prej 6 vitesh.