U godit nga makineria e paketimit të karotave, kush është 53 vjeçari që humbi jetën në Divjakë

Një 53 vjeçar i quajtur Ilir Lena humbi jetën në rrethana tragjike këtë të enjte, teksa punonte në një pikë të paketimit e grumbullimit të fruta-perimeve në Divjakë.

Lena punonte prej afro 20 vitesh në kompaninë në fjalë dhe po punonte me paketimin e karotave.  Lena është ulur për të marrë disa karota që kishin rënë në tokë, pa vënë re se makineria ishte e ndezur. Për pasojë makineria e ka goditur 53 vjeçarin në pjesën e kokës.

Me lot në sy, një prej kolegëve të tij tregoi për mediat se Ilir ishte ulur për të marrë dy tre karota që kishin rënë në tokë, në momentin kur makineria e ka goditur.

“U ul për të marrë dy karrota poshtë, aty ndodhi mbase. Ka kaq vite që punon këtu”, tha kolegu.

Ngjarja ka ndodhur brenda pak sekondave dhe shumë prej punonjësve nuk e kanë parë me sy ngjarjen, por janë alarmuar kur kanë dëgjuar të bërtiturat e të ndjerit.

53 vjeçari është dërguar nga ambulanca në qendrën spitalore të Divjakës dhe më tutje për mjekim më të specializuar në spitalin e Lushnjes. Rrugës 53 vjeçari ka ndërruar jetë.

Autoritetet tanimë kanë nisur punën për zbardhjen e ngjarjes. Janë sekuestruar kamerat e sigurisë si dhe janë marrë në pyetje punëtorët e tjerë dhe administratori i kompanisë.

Divjakë/Informacion paraprak i policisë

Rreth orës 10:00, në ambientet e një subjekti për paketimin e produkteve ushqimore, në pronësi të shtetasit R. J., dyshohet se aksidentalisht, është dëmtuar nga një makineri, punonjësi i subjektit, shtetasi I. L., 53 vjeç, i cili ka humbur jetën gjatë transportimit në spital.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.