Burgosi familjen për 1 vit, gjykata lë në burg Jetnor Zhabolin, 35 vjeçari: Mbrojta fëmijët

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg 20 ditë për Jetnor Zhabolin, 35 vjeçarin i cili burgosi në shtëpi prej mëse 1 viti të shoqen dhe fëmijët e tij të mitur 3 e 9 vjeç. Shtëpia e çiftit të të rinjve ishte kthyer në një burg të mirëfilltë nga Zhaboli, i cili kontrollonte çdo lëvizje të familjarëve të tij përmes një serie kamerash që kishte instaluar në banesë, duke filluar nga dera e hyrjes e deri tek tualeti.

Prokuroria kërkoi që 35 vjeçari të qëndrojë në qeli për 30 ditë, deri në daljen e rezultateve të ekspertizës mjeko-ligjore, e cila pritet të përcaktojë gjendjen e shëndetit mendor të të akuzuarit. Përkundër organit të akuzës, avokati mbrojtës i të riut kërkoi që ai të shtrohet përkohësisht në spital. Vetë Jetnor Zhaboli pretendon se gjithçka ka bërë, e ka bërë për të mbrojtur fëmijët. Sipas tij ai i kontrollonte sepse kishte firkë për ta.

Gruaja e 35 vjeçarit ka rrëfyer për hetuesit se qëndronte e mbyllur prej afro 1 viti e gjysëm dhe se është dhunuar në mënyrë të vazhdueshme.

Nëna e 35 vjeçarit ndërkohë, ka treguar se prej afro 1 viti i biri ka nisur të shfaqë probleme. Sipas saj, atij i dukej sikur dëgjonte zhurma në muret e banesës. Nëna tregoi se i ka kërkuar të birit të shkojë për t’u kuruar, por ai nuk ka pranuar.