Një kryeministër shqiptar në RMV, Talat Xhaferi: Kjo do të jetë detyra primare e qeverisë

Për herë të parë në historinë e saj, qeveria e Maqedonisë së Veriut do të drejtohet nga një kryeministër shqiptar.

Qeveria me në krye Talat Xhaferin u zgjodh të dielën me 65 vota pro dhe 3 kundër. VMRO-DPMNE ishte në sallën e parlamentit, por abstenoi nga votimi. Të hënën Xhaferi mori zyrtarisht detyrën si kryeministër.

“Detyra primare është përgatitja, organizimi dhe zbatimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike – Presidenciale më 24 Prill dhe zgjedhjeve të rregullta parlamentare më 8 Maj 2024 dhe për këtë qeveria ka një procedurë të drejtpërdrejtë, transparente dhe ligjore dhe në bashkëpunim me Kuvendin, me OSBE-ODIHR, BE dhe SHBA. Do të zbatojë të gjitha parakushtet ligjore, institucionale dhe operative për zbatimin e vullnetit të qytetarëve duke synuar mundësimin e standardeve më të larta evropiane, që të zhvillohen zgjedhje me legjitimitet të plotë dhe pranim konsensual të vullnetit të qytetarëve.”-tha Xhaferi.

Qeveria kalimtare e drejtuar nga Xhaferi ka mandat deri më 8 maj të këtij viti, kohë në të cilën do të mbahen zgjedhje.

Në përbërjen e qeverisë, zvkryetar i parë i saj dhe zvkryeministër është Boja Mariçiç. Artan Grubi do të jetë Ministër për Sistemin politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive. Pançe Toshkovski (me propozim të VMRO-DPMNE-së) është Ministri i Brendshëm, ndërsa Gjoko Vellkovski, Ministri për Punë dhe Politikë Sociale.

Në vendet e deritanishme mbeten

Krenar Lloga – ministër i Drejtësisë,

Bujar Osmani – ministër i Punëve të Jashtme,

Fatmir Besimi – ministër i Financave,

Kreshnik Bekteshi – ministër i Ekonomisë,

Lupço Nikollovski – ministër i Bujqësisë,

Fatmir Mexhiti – ministër i Shëndetësisë,

Jeton Shaqiri – ministër i Arsimit,

Risto Penov – ministër i Vetëqeverisjes Lokale,

Bisera Kostadinovska Stojçevska – ministre e Kulturës,

Azir Aliu – ministër i Shoqërisë Informative dhe Administratës,

Bllagoj Boçvarski – ministër i Transportit dhe Lidhjeve,

Kaja Shukova – ministre e Mjedisit dhe dy ministra pa portofol, konkretisht Fatmir Bytyqi, i ngarkuar për çështjet ekonomike dhe Sllavica Gërkovska, përgjegjëse për politikat e qeverisjes së mirë.

Kjo është qeveria e tretë kalimtare apo teknike që nga viti 2016. Kryeministër i qeverisë teknike në vitin 2016 ka qenë Emil Dimitriev, ndërsa në vitin 2020 Oliver Spasovski.