Gramsh: Dy banesa përfshihen nga zjarri, i moshuari hero hyn mes flakëve dhe shpëton mbesën 8 vjeçe

Një i moshuar i quajtur Zaim Meci është kthyer në heroin e ditës në një fshat të Gramshit, pasi ka mundur t’i shpëtojë jetën një vajze 8 vjeçe, mbesës së tij.

80 vjeçari kishte dalë për të kullotur bagëtitë, por kur është kthyer drejt shtëpisë, ka pikasur shtëllungat e tymit. Dy banesat e familjes së tij, ngjitur me njëra- tjetrën, kishin marrë flakë. Me të mbërritur atje, i moshuari ka dëgjuar të qarat e vajzës dhe familjarët që hidhnin kova me ujë. Pa u menduar gjatë, 80 vjeçari ka hedhur në krahë një lëkurë bagëtie, është lagur me ujë dhe ka hyrë mes flakëve. Ai ka mundur të gjejë mbesën 8 vjeçe dhe e ka nxjerrë nga flakët.

“Isha me bagëti aty afër banesës kur pashë që në çatinë e shtëpisë dilnin shtëllunga tymi e flakë, shkova aty dhe pashë që njerëz me kova uji mundoheshin të fiknin flakët, pjestarët e familjes time që qanin e ulërinin ishte një tmerr. Dikush më tha që është një fëmijë brenda, nuk kuptoheshin të qarat e mbesës brenda, jam lagur me ujë e me një lekurë bagëtie u futa mes flakëve. Shkova tek dhoma ku mbesa qante e strukur nën një tavolinë buke, as vet se di sesi dola. Falenderoj Zotin që mbesa shpëtoi”, ka rrëfyer gjyshi hero.  

I moshuari tregon se pjesëtarët e familjes jetojnë në kushte tepër të vështira.

“Gjithçka u shkrumbua, vetëm me rrobat e trupit kemi ngelur, as bukë për vaktin e radhës nuk kemi. Do i lutesha çdokujt të na ndihmonin nese kanë mundësi edhe për rroba trupi sido që të jenë”-tha i moshuari.

Shkak për zjarrin dyshohet të jetë bërë një shkëndijë elektrike në një llambë ndriçimi. Fatmirësisht asnjë prej familjarëve nuk ka marrë lëndime.