I mori jetën kolegut në ambientet e komisariatit, Apeli ‘zbut’ dënimin e ish oficerit Ludjan Zaimi

Gjykata e Apelit ka ulur me 5 vite dënimin për oficerin Ludjan Zaimi, i cili dy vite më parë i mori jetën kolegut të tij Çaush Saliasi, në ambientet e brendshme të komisariatit nr.3 në Tiranë.

Ngjarja ndodhi më 23 maj të vitit 2022 në orët e mbrëmjes. 25 vjeçar në atë kohë, ofieri patrullës Ludjan Zaimi e qëlloi kolegun e tij 55 vjeçar 6 herë me armën e shërbimit.

Më shtator të vitit të kaluar gjykata e Tiranës e shpalli fajtor të riun nën akuzën e ‘vrasja e punonjësve të policisë së shtetit’, duke e dënuar të riun me 35 vite burgim.

Zaimi ankimoi vendimin në Apel duke kërkuar shpalljen fajtor për akuzën e ‘vrasjes me dashje’ apo ‘vrasje me paramendim’. Mbrojtja e të riut kërkoi po ashtu dhe pranimin e gjykimit të shkurtuar.

Në përfundim të gjykimit në Apel, gjykata vendosi që ish oficeri të deklarohet fajtor për akuzën e ‘vrasjes me paramendim’. Zaimi u dënua kësisoj me 30 vite burgim.

Në verdiktin e gjykatës shkruhet:

Në përfundim të gjykimit, më datë 25.01.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, vendosi:

– Ndryshimin e vendimit nr. 2016 datë 15.09.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në lidhje me cilësimin juridik dhe dënimin, si më poshtë vijon:

-Deklarimin fajtor të të pandehurit L.Z për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”, parashikuar nga neni 78/2 i K.Penal dhe dënimin e tij me 30 (tridhjetë) vjet burgim.

-Lënien në fuqi të vendimit për disponimet e tjera.

-Kundër vendimit lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.