Ngjarja që tronditi Turqinë: Pasagjeri 19 vjeçar vret taksistin, baba i dy fëmijëve… ngjarja filmohet nga kamera

Një ngjarje tragjike ka tronditur mbarë opinionin publik në Turqi, e veçanërisht banorët e Izmirit, atje ku një taksist 44 vjeçar është vrarë mizorisht nga një 19 vjeçar. Oguz Erge, baba i dy fëmijëve, ishte në orarin e punës kur në bordin e taksisë u ul një djalë në moshë të re, i cili mbante një maskë.

Me shaka taksisti i thotë të riut “nëse e mban atë maskë nuk do të ndalojë njeri për ty vëlla”. Vrasësi i përgjigjet “jam sëmurë, prandaj e kam vënë maskën”. Taksisti më tutje i thotë të riut “unë të marr, pse të të lë në këtë të ftohtë, jashtë është acar”.

Pasi 44 vjeçari e dërgon 19 vjeçarin në destinacionin e kërkuar, vrarësi bën sikur nxjerr nga xhepi paratë. Më pas ai e qëllon tre herë në shpinë taksistin me një armë zjarri (pistoletë).

Pasi e qëllon me armë, 19 vjeçari shkon në sediljen e parë të pasagjerit dhe nis të kontrollojë për para apo sende me vlerë. Në videon e regjistruar nga kamera në makinën e taksistit dallohet dhe momenti kur vrasësi i thotë “Disa njerëzve nuk duhet t`i besosh”. I riu më tutje e qëllon me shuplakë në faqe 44 vjeçarin e largohet.

Babai i dy fëmijëve u dërgua në spital, por ndërroi jetë disa orë më vonë prej plagëve.

Policia nisi kërkimet për gjetjen e vrasësit. Siç raporton media turke, u analizuan afro 100 orë me filmime nga kamera të ndryshme sigurie. Vrasësi u identifikua si Delil Aysal. 19 vjeçari u kap në shtëpinë e tij dhe pritet të përballet me drejtësinë.

Trupi i pajetë i 44 vjeçarit u dërgua në morgun e qytetit ku dhe do t’i nënshtrohet një autopsie mjeko-ligjore. Afro 250 taksistë të tjerë, kolegë me të ndjerin, shoqëruan me makinat e tyre automjetin që dërgoi në morg trupin e pajetë të 44 vjeçarit.

Në lidhje me vdekjen tragjike të Erge, foli dhe një mik i tij, i cili tregoi se 44 vjeçari ishte një prej njerëzve më të mirë që njihte.

Oğuz Erge ishte një mik i mirë, një njeri i mirë. Ai kurrë nuk i ka bërë keq njeriu. Kishte dy fëmijë… në kohën kur ra tërmeti, ai jepte shërbimet e tij falas”-tha Mustafa Demiral.