Në derën e kësaj shtëpie në Istog të Kosovës jeton familja Maraj. Ardiani me të shoqen kanë dy vajza, Ardinën dhe Ajlën e vogël.
Këto lotë janë të Ardinës. Ajo është veçse 8 vjeçe…
Ardina trashëgoi një sëmundje prej të atit. Kohët e fundit, gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar, aqsa dhimbjet janë bërë të përditshme dhe të padurueshme. Ardina është e prekur nga “pectus excavatum”, njohur në gjuhën popullore si kraharori i zhytur. Në rastin e 8 vjeçares, situata është tepër serioze, aqsa funksionimi normal i mushkërive e zemrës po vihet në rrezik.
“Unë quhem Ardina Maraj, vij nga Istogu, jam 8 vjeçe. Unë vuaj nga sëmundja që kam trashëguar nga babi… unë i kam brinjët të kthyera kështu (bën shenjë me duar)…kam dhimbje shumë të mëdhaja (qan). Ka raste që më merret fryma. Tërë natën rri pa gjumë. Çdo ditë e natë, me dhimbje. Çdo javë jam nëpër spitale…”, rrëfen vogëlushja.
Kryefamiljari na tregon se ai e ka të pamundur ta dërgojë të bijën për kurim jashtë shtetit. E nëse Ardina nuk kurohet…
“Quhem Ardian Maraj. Shtëpinë na e kanë ndërtuar njerëz të vullnetit të mirë, këtu në Istog. Por tani vajza është problem. I lutem të gjithëve të na ndihmojnë të shpëtojmë vajzën, kurrgjë nuk dua tjetër. përpos shërimit të saj”-thotë babai i 8 vjeçares.
E kur dëgjon të atin, Ardina sërish mbushet në lotë. Ajo rrëfen se prej kohësh tanimë, e kupton që nuk është si fëmijët e tjerë. Një 8 vjeçare, e cila flet për frikën nga vdekja… dhe faktin se ndyshe nga fëmijët e tjerë, ajo s’mund të luajë, por vetëm të qëndrojë si ‘spektatore’.
“Unë e kuptoj që nuk jam si fëmijët e tjerë. Të gjithë luajnë, kurse unë rri ulur, pranë mësueses, shoh sesi tjerët luajnë.
Frikë kam shumë, mos ndodh diçka e keqe. Unë nuk dua t’i lë prindërit vetëm, në asnjë moment (qan)
Dëshira ime më e madhe është t’i rikthehem jetës normale, si gjithë njerëzit…(qan) të mos shkoj më në spitale.”-thotë vogëlushja.
Këtu mbyllen lotët e trishtimit të Ardinës. Ditët e dhimbjes e frikës, tanimë janë një kapitull që shumë shpejt do t’i përkasë të shkuarës.
Fondacioni Firdeus e shqiptarët bamirës, iu përgjigjën lutjes së 8 vjeçares. Familja Maraj e priti me gëzim e lot lumturie lajmin se Ardina, më në fund, do të mund të kurohet.
Vetë vogëlushja, na rrëfen se iu plotësua e vetmja dëshirë që kishte patur. E mes frikës e gëzimit, Ardina i drejtohet me këto fjalë njerëzve që ajo nuk i njeh, por që i bënë realitet ëndrrën më të bukur.
“Sot do të nisem për Turqi, për operimin tim… (qan) Faleminderit që më ndihmuat, më bëtë realitet ëndrrën time.
Dua të falenderoj xhaxhi Elvis Naçin që më ka marrë përsipër operacionin tim dhe të gjithë shqiptarët kudo ku janë. Kam qejf kur të kthehem prej Turqisë, të jem shëndoshë e mirë, të kthehem në shtëpi mirë. Shpresoj që bëhem mirë shpejt. Malli do më marrë shumë për mamin e motrën.”-tregon vogëlushja, ndërsa lotët i vërshojnë në faqe.
Tanimë gjithçka është gati. Ardina do të niset me babain drejt Turqisë. Pak para se të largohet, 8 vjeçarja përqafon nënën.
Nëna: Inshallah kthehesh shëndoshë e mirë (qan) të pret mami e Alja, të kthehesh shpejt. Ti je gjithçka për mu, (qan) të kam jetën time. Unë dhe motra jote do të të presim, do të vish e shëruar.
Ardina: Mami mos u mërzit (qan) se unë do të kthehem shëndoshë e mirë.
Bagazhet janë bërë. Erdhi koha për të ikur. Teksa hyn në makinë, Ajla edhe pse fare e vogël, nis të qajë. Motra e babai po largohen…
Rrugës për në aeroportin e Prishtinës, babë e bijë qëndrojnë pranë njëri tjetrit. Janë të bashkuar, me duart lidhur.
Zoti qoftë me ty ëngjëll i vogël.