Dy jetë të shuara në dy aksidente me 8 të plagosur… bilanci tragjik i mbrëmjes së të dielës

Dy viktima në mosha të reja dhe tetë të plagosur. Ky ishte bilanci i shënuar pasditen e të dielës në një hark kohor prej pak orësh

I pari aksident ndodhi pranë fshatit Belorta në Korçë, ku dy automjete u përplasën kokë më kokë. Për pasojë, 36 vjeçari Elvis Mizaku ndërroi jetë, ndërsa 5 të tjerë u plagosën. Për nxjerrjen nga makina të 36 vjeçarit u nevojit ndërhyrja e zjarrfikësve. I riu fatkeqësisht ndërroi jetë rrugës për në spital.

Pak orë më vonë, një tjetër aksident rrugor, kësaj here në rrugën Librazhd- Prrenjas. Në automjetin që u aksidentua udhëtonin 4 djem në moshë të re. Shoferi 21 vjeçar Meglind Zeneli ka humbur kontrollin e makinës, duke dalë nga rruga. Për pasojë, një 18 vjeçar i quajtur Dorian Belba humbi jetën. Shoferi 21 vjeçar dhe dy pasagjerët e tjerë mbetën të plagosur. Shkak i aksidentit dyshohet të jetë bërë shpejtësia e madhe.

Në lidhje me aksidentin e dytë, policia njoftoi të hënën se ka arrestuar shoferin 21 vjeçar

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një aksident rrugor në aksin “Librazhd-Prrenjas”, ju informojmë se specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin M. Z., 21 vjeç, banues në fshatin Qukës, Librazhd, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për këtë shkak automjeti ka dalë nga rruga. Për pasojë humbi jetën njëri nga pasagjerët e këtij automjeti, shtetasi D. B., si dhe kanë mbetur të dëmtuar 2 pasagjerët e tjerë dhe drejtuesi i automjetit, të cilët janë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”- njoftuan autoritetet.