Turqia një vit pas tërmetit, mijëra e mijëra qytetarë mblidhen në shenjë nderimi për viktimat

Ishte ora 04:17, 6 shkurt 2023…

Shumica e banorëve në Turqi po flinin në momentin kur nisën lëkundjet… tërmeti zgjati 100 sekonda, por kaq pak kohë mjaftoi për t’i ndryshuar jetën miliona njerëzve.

Kanë kaluar tashmë 365 ditë dhe në Turqi mijëra e mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e vendit për të nderuar viktimat. Tërmeti që goditi Turqinë i mori jetën më shumë se 50 mijë personave dhe la të plagosur mbi 100 mijë të tjerë.

Njërëzit anëmbanë vendit, përfshi këtu dhe provincat e goditura nga tërmeti, u mblodhën në ceremoni përkujtimore, në marshe të heshtura e homazhe.

Një minutë heshtjeje dhe homazhe u mbajt për të përkujtuar viktimat e “Fatkeqësisë së Shekullit” në orën 4:17 të mëngjesit me orën locale, në momentin kur goditi tërmeti.

Në Antakya, njerëzit hodhën lule në lumin Asi, i cili rrjedh nëpër qytet.

Presidenti i Turqisë Erdogan, tha se “Dhimbja e jetëve të humbura në tërmetet që përjetuam një vit më parë, vazhdon të na djegë zemrat ashtu sikur ditën e parë.

“Katastrofa të tilla të mëdha dhe vuajtje të mëdha janë gjithashtu pika kthese ku vihet në provë forca e unitetit, solidaritetit dhe vëllazërisë së kombeve. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona derisa të ndërtojmë dhe rigjallërojmë qytetet tona”.-vijoi më tutje Erdogan.