Fotografia më e bukur e vitit për botën e egër

Fotoja e një ariu polar teksa fle në një ajsberg, është shpallur si fotografia më e bukur e vitit e botës së egër.

Fitues është shpallur fotografi britanik Nima Sarikhani, i cili e titulloi foton “shtrati i akullt”. Fotoja u shkrep në një prej ishujve në arkipelagun Svalbard në Norvegji.

Në garë për foton më të mirë të botës së egër për vitin 2023 ishin 25 imazhe, ndërsa votues më shumë se 75 mijë persona nga e gjithë bota.

Përpos fituesit, 4 foto të tjera u shpallën po ashtu si ndër më të bukurat e të votuara.

Fotografi Tzahi Finkelstein po qëndronte i fshehur duke fotografuar zogjtë në breg, kur vuri re këtë breshkë ballkanike të pellgut duke ecur në cekëtirë. Papritur mbi hundën e breshkës zbriti një pilivesë.
Daniel Dencescu shpenzoi orë të tëra duke ndjekur grumbullimin e zogjve në periferi të Romës në Itali. Më në fund në një ditë dimri pa re, tufa e shpendëve formoi këtë imazh të një zogu gjigand.

Dy luanesha kishin shkuar për gjah, duke i lënë 5 këlyshët e tyre të fshehur në shkurre përgjatë natës, në Maasai Mara Mara të Kenias. Kur u kthyen nga misioni i tyre i pa suksesshëm, i thërritën këlyshët në mes të fushës me bar dhe fotografi Mark Boyd ishte aty për të kapur këtë imazh.

I vendosur në një strehë ku nuk futej ujë, të cilën e kishte ngritur vetë, Audun Rikardsen realizoi këtë foto të një kandili deti në ujërat e një fjordi në Norvegjinë veriore, ndërsa qielli i natës ndriçohej nga ‘dritat e veriut’ (aurora borealis).

Burimi: BBC