Grabitje e armatosur në një dyqan celularësh në “Myslym Shyri”

Një grabitje e armatosur ka ndodhur në një prej zonave më të populluara të Tiranës paraditen e të premtes. Një person i maskuar ka hyrë në një dyqan të shitjes së celularëve dhe nën kërcënimin e armës ka marrë mbi 10 telefona celularë,

Nga të dhënat paraprake, rezulton se autori grabitjes nuk ka patur përplasje fizike me punonjësin e dyqanit. Pas grabitjes, autori është larguar në drejtim të rrugës “Vasil Shanto”. Policia ka bërë një reagim zyrtar për rastin, duke publikuar foton e mëposhtme dhe vendosjen e një shpërblimi prej 5 mijë eurosh për këdo që ka informacion të vlefshëm për autorin e dyshuar.

“Më datë 09.02.2024, rreth orës 09:30, në rrugën “Myslym Shyri”, një person me maskë të zezë dhe me një xhup të kuq, nën kërcënimin e një sendi të dyshuar si armë zjarri pistoletë, ka marrë disa aparate celular në dyqanin e shtetasit M. F., dhe më pas është larguar. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e dokumentimin e autorësisë të kësaj ngjarje. DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 5000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e tij. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrat e telefonit 112 dhe +355 69 410 0118 duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.”-njoftuan autoritetet.