Vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit Blinken, cilat rrugë do të bllokohen nesër në Tiranë

Ditën e nesërme (15 shkurt, e enjte) në Tiranë do të vijë për vizitë kreu i diplomacisë amerikane Anthony Blinken.

Policia e Shtetit ka publikuar së fundmi planin e masave të marra për mbarëvajtjen e vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit si dhe oraret e rrugët që do të bllokohen në kryeqytet.

“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, ka hartuar një plan të detajuar masash, për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë kësaj vizite. Masat e ndërmarra i janë prezantuar nga grupi i punës, ditën e sotme, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili e ka miratuar këtë plan masash.

Masat e ndërmarra dhe kufizimet para dhe gjatë vizitës janë si vijon:

Ndalim parkimi

Duke filluar nga ora 19:30 e datës 14.02.2024 deri në orën 20.00 të datës 15.02.2024, në rrugët “Faik Konica”, “Dervish Hima”, “Ismail Qemali” (para Kryesisë së Kuvendit), “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, Rruga e Elbasanit, “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Bajram Curri”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, si dhe rruga “Ukraina e Lirë” (Gjykata Kushtetuese), do të ndalohet parkimi i mjeteve në rrugë dhe në hapësirat e caktuara për parkim.

Ndalim qarkullimi

Në fashat orare 09:30-12.30 dhe 17:30-20.00, të datës 15.02.2024, do të ndalohet qarkullimi në rrugët si më poshtë:

1. Interurbane dytësore Fushë Prezë-Rinas;

2. Interurbane dytësore Rinas-Qafë Kashar dhe anasjelltas;

3. Interurbane kryesore Qafë Kashar – ish-sheshi Shqiponja dhe anasjelltas;

4. Interurbane kryesore ish-sheshi Shqiponja-Teg-Sanatorium dhe anasjelltas;

5. Rruga e Elbasanit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Faik Konica”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Themistokli Germenji”, rruga “Abdyl Frashëri”, rruga “Ukraina e Lirë”, rruga “Gjergj Filipi”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe bulevardi “Bajram Curri”.

Rrugë alternative

Qytetarët që duan të shkojnë në aeroportin “Nënë Tereza”, më datë 15.02.2024, nga Durrësi dhe veriu, do të ndjekin përkatësisht drejtimin Vorë-Fushë Prezë-Rinas dhe kthim, Fushë Krujë-Fushë Prezë-Rinas dhe kthim, ndërsa nga juglindja dhe Tirana, do të ndjekin unazën lindore-Farmacia 10-Stacioni i Trenit-Bulevardi i Ri-Paskuqan-Kamëz -Valias-Aeroporti i Rinasit, dhe kthimi në të njejtin itenerar.

Për emergjencat mjekësore që mund të afektohen në oraret e bllokimet, të ndiqen rrugët dytësore dhe të tjera, në drejtim të spitaleve perkatëse, të ndryshme nga ato që do të përshkohen nga delegacioni amerikan.

Policia e Shtetit kërkon mirekuptimin e të gjithë qytetarëve për masat e sigurisë dhe apelon për të shmangur qarkullimin me mjete rrugore në oraret dhe rrugët ku parashikohen kufizimet e levizjes, për qëllime sigurie.”-njofton policia