“M’u errësuan sytë, parkonte makinën tek hyrja” Dëshmia e të riut që i mori jetën 40 vjeçarit në Durrës

34 vjeçari Ilir Koçilja, personi i cili i mori jetën komshiut të tij në Durrës, ka rrëfyer para oficerëve të krimeve të rënda se shkak i konfliktit ka qenë gërvishtja e makinës së viktimës nga ana e tij.

34 vjeçari u arrestua ditën e djeshme (e mërkurë, 14 shkurt) pak orë pas arratisjes nga vendi i ngjarjes. Sherri mes tij e viktimës, 40 vjeçarit Halil Koka, sipas autorit të dyshuar ka nisur ditë më parë, kur ai i ka kërkuar Kokës që të mos parkojë makinën tek hyrja e pallatit.

Koçilja ka treguar se i ka kërkuar disa herë viktimës të mos e parkojë makinën para hyrjes, por sipas tij, 40 vjeçari nuk e ka dëgjuar. Kësisoj, 34 vjeçari ia ka gërvishtur makinën me thikë disa herë, derisa viktima e ka pikasur veprimin e tij ditën e djeshme. Pas sherrit dhe ofendimeve, tregon autori dyshuar, atij i “janë errur sytë” dhe e ka qëlluar me thikë 40 vjeçarin.

“Me Halilin ishim fqinj. Nuk shkonim mirë me njëri-tjetrin. Ai linte makinën te hyrja e pallatit. I kisha thënë disa herë që mos ta linte aty se pengonte qytetarët që të kalonin për të shkuar në shtëpi. Kur i thashë mos e lër më makinën aty, ai më ofendoi. S’i ktheva përgjigje. Kur dola ditën tjetër e pashë makinën, po prapë të parkuar aty. Nga inati, ia gërvishta me thikë në pjesën e derës se pasagjerit dhe ika. Prapë ditën tjetër e kishte lënë aty dhe unë prapë ia gërvishta.

Erdhi më kapi një ditë dhe më tha ti e ke gervishtur makinën time . Po i thashë “unë ta gërvishta”. Mos e lër më aty i thashë. Aty debatuam, kush je ti, kush jam unë. Nisi të më kërcënonte. Do të vras, do të fus në bagazh. Unë e kisha thikën me vete. E pashë që doli nga lagja në rrugë kryesore. Iu afrova dhe i thashë “ti do më marrësh zvarrë mua dhe do më futesh ne bagazh”. Ai më shau. Aty m’u errësuan sytë dhe e qëllova me thikë. Më pas u largova dhe u fsheva për disa orë te lagja 11 deri sa më kapet ju.

Nuk e dija se kishte vdekur. Mendova se e plagosa. Nuk kam asnjë konflikt tjetër me atë. As i kisha borxh para dhe as më kishte. Me vjen shumë keq për ate që ndodhi, jam penduar. Po konfliktin e nisi Halili”, ka deklaruar ndër të tjera Ilir Koçilja.