Fier: 29 vjeçari dhunon të shoqen dhe i shpërndan video në rrjet, arrestohet nga policia

Policia ka vënë në pranga një 29 vjeçar të identifikuar si Albi Boshnjaku, pasi ky i fundit në mënyrë sistematike, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes.

Veç dhunës, 29 vjeçari akuzohet se ka përndjekur të shoqen si dhe i ka shpërndarë një video intime në rrjetet sociale. Gruaja 27 vjeçare e ka denoncuar rastin fill pasi është larguar tek prindërit e saj në Kosovë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, pas denoncimit nga një shtetase 27 vjeçe se bashkëshorti i saj kishte ushtruar sistematikisht dhunë fizike dhe psikologjike dhe për këtë arsye kjo shtetase ishte larguar tek prindërit në Kosovë, organizuan punën për kapjen e tij.

Shërbimet e Policisë bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit A. B., 29 vjeç, banues në Fier.

Ky shtetas, në mënyrë sistematike, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes, e përndiqte dhe i kishte shpërndarë një video intime të saj, në rrjetet sociale.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e këtij shtetasi, u gjet dhe u sekuestrua një sasi e vogël lende e dyshuar narkotike cannabis sativa.”-njoftoi policia.