Greqi: Shqiptari lidh me litarë të dashurën 19 vjeçe dhe e detyron të abortojë, si u zbulua krimi

Ymer Ramadan Haxhiaj quhet i riu me origjinë shqiptare i cili ka dhunuar, mbajtur peng dhe detyruar bashkëjetuesen që të abortojë shtatzaninë e saj.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Zakinthos të Greqisë, ndërsa policia e ka prangosur tanimë 27 vjeçarin shqiptar që përballet me një sërë akuzash.

Sipas medias greke, çifti bashkëjetonte prej disa kohësh në shtëpinë e 27 vjeçarit në Cilivi. Vajza e quajtur Athina Marula, 19 vjeçe, kishte mbetur shtatzënë. Konfliktet e mosmarrëveshjet e çiftit duket se kanë nisur pikërisht prej shtatzanisë. 19 vjeçarja është larguar pas konflikteve dhe ka shkuar të jetojë sërish me prindërit e saj.

Disa ditë më vonë Haxhiaj ka shkuar në banesën e të resë dhe e ka marrë atë me automjetin e tij. Me të mbërritur në apartamentin në Cilivi, 27 vjeçari i ka kërkuar partneres që të qëndrojë me të, por 19 vjeçarja ka refuzuar. Debati mes çiftit është rënduar. Më pas shqiptari e ka lidhur me litarë viktimën nga duart e këmbët dhe ka nisur ta dhunojë fizikisht. 27 vjeçari e ka detyruar të renë të marrë kokrra për të dështuar fëmijën. Brenda pak minutave e reja ka pësuar hemorragji të madhe, çka e ka detyruar 27 vjeçarin ta çojë 19 vjeçaren drejt spitalit. Edhe atje Haxhiaj e ka kërcënuar Athina Marula-n që të mos u tregojë asgjë mjekëve apo policisë.

Por ngjarja u zbardh pasi mjekët e denoncuan astin në polici, ndërsa autori më tutje u vu në pranga. 27 vjeçari e pohoi aktin e rëndë dhe shpjegoi se nuk donte të kishte fëmijë me 19 vjeçaren.

Shërbimi social mori në mbrojtje 19 vjeçarin, ndërsa shqiptari pritet të përballet me një seri akuzash për dhunë, plagosje, pengmarrje e ndalim të detyruar të shtatzanisë.