Ra në lumin Bunë teksa peshkonte, gjendet pas dy muajsh trupi i pajetë i 65 vjeçarit nga Mitrovica

Është gjetur pas afro 2 muajsh kërkime trupi i pajetë i një 65 vjeçari nga Mitrovica, i cili ra në lumin Bunë teksa kishte dalë për të peshkuar.

Ngjarja ndodhi më 17 dhjetor të vitit të kaluar, kohë kur i ndjeri me inicialet H.S ra në ujë teksa peshkonte në breg të lumit Buna në Shkodër. Trupi i tij është gjendur në vendin e quajtur Lisna Bori, në fshatin Goricë të Ulqinit.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më datë 17.12.2023, për shtetasin kosovar H. S., 65 vjeç, banues në Mitrovicë, i cili teksa peshkonte në bregun e lumit Buna, dyshohet se aksidentalisht rrëshqiti dhe ra në ujërat e lumit, ju informojmë se si rezultat i kërkimeve të vazhdueshme, në vendin e quajtur “Lisna Bori”, në fshatin Goricë, Ulqin, është gjetur trupi i pajetë i këtij shtetasi.”-njoftoi polica.