Tiranë: Arrestohet 59 vjeçari që kontrabandonte veshje nga Turqia, u stamponte logo false markash luksoze

Një 59 vjeçar është ndaluar nga autoritetet pasi është zbuluar se kontrabandonte veshje nga Turqia të cilave u stamponte logo të markave të njohura, veshje të cilat më tutje i shiste me çmime të larta.

Pjesë e skemës ishte dhe djali i tij 29 vjeçar, i cili është shpallur në kërkim. Në cilësinë e provës materiale, policia e kryeqytetit sekuestroi 1 mijë konfeksione të ndryshme, logo e etiketa false të markave të njohura si dhe pajisje për stampimin e tyre.

“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Brands”, në kuadër të të cilit ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. A., 59 vjeç, banues në Tiranë, si dhe po punohet për kapjen e djalit të tij, shtetasit D. A., 29 vjeç.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta dy shtetas magazinonin në banesën e tyre dhe në dy subjekte në rrugën “5 Maji”, mallra (veshje) të dyshuara të kontrabanduara nga Turqia, të cilave i vendosnin logo dhe etiketa të markave të njohura, me qëllim për t’i shitur me çmime shumë të larta.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 1000 konfeksione të ndryshme, logo dhe etiketa false të disa markave, si dhe një pajisje për stampimin e tyre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.”-njofton policia.