1 vit pas tragjedisë në Greqi, nëna e 20 vjeçares shqiptare kërkon drejtësi: Ime bijë preu biletën e vdekjes

Një vit pas tragjedisë së përplasjes së dy trenave në Tempi të Greqisë, ka folur për median vendase nëna e 20 vjeçares shqiptare Klaudia Lata, e cila ishte një ndër 57 viktimat.

Me lot në sy, Alma Lata kërkoi drejtësi për vdekjen e të bijës.

Unë kërkoj drejtësi, vetëm drejtësi. Sot (e mërkurë 28 shkurt) është dita më e vështirë e jetës sime, zija është e madhe, na mungon shumë. Kam humbur një doktoreshë, ajo ishte e mrekullueshme, arriti shumë lart pa mbështetjen e askujt dhe tani, nuk do të kthehet më kurrë. Kur një qytetar i thjeshtë shkel ligjin përballet me drejtësinë. Atë dua dhe unë, të më vijë Karamanlis (ish ministri infrastrukturës) në gjyq, të më thotë në fytyrë që frenat ishin të sigurta, siç thoshte më para dhe unë e besoja. Vajza ime kishte frikë të udhëtonte me autobusë prej aksidenteve. Me trenin ndihej më e sigurt, thoshte dy shina janë, s’ka çfarë të më ndodhë… dhe ashtu preu biletën e vdekjes”-tha mes lotëve nëna e 20 vjeçares së ndjerë.

Klaudia ishte studente e shkëlqyer në mjekësi. Ndiqte studimet në Selanik. Ajo kishte udhëtuar në Patras për të festuar për disa ditë pushimi me miqtë e saj. Në kthim, ajo foli me familjarët të cilët i kishin kërkuar të ndalonte në Larisa për t’i takuar disa orë. Vajza kishte refuzuar me mirësjellje thirrjen e prindërve, duke u thënë se i duhej të rikthehej pasi kishte shumë për të studiuar. Ajo do të ishte dhe telefonata e saj e fundit me prindërit.