Poshtë këmbëve dhe dëborës, pamje të fenomenit të pazakontë të ‘zjarreve zombi’ në Kanada

Vitin e kaluar Kanadaja u përball me një ‘sezon’ të frikshëm zjarresh të cilat dogjën afro 18.5 milionë hektarë, një sipërfaqe e barabartë me dyfishin e sipërfaqes së shtetit të Portugalisë.

Shifrat e siperfaqeve te djegura prej zjarreve ne Kanada pergjate viteve, te matura me akër (1 akër-4046.86 metër katrorë)

Edhe pse zjarret masive përfunduan me shifra historike, sërish dhjetëra ekipe zjarrfikësish kanë vijuar punën e tyre edhe në këto muaj dimri.

E kjo për shkak të atyre që njihen si ‘zjarre zombi’. Zjarret në fjalë vijojnë ende në Kanada, në mes të dimrit e teksa dëbora ka mbuluar vendin. Zjarret zombi quhen ato zjarre që krijohen poshtë sipërfaqes dhe të cilat vijojnë të djegin bimësinë.

Në Kanadanë perëndimore janë identifikuar të paktën 150 vatra të tilla, të cilat janë shumë të vështira për t’u pikasur. E vetmja mënyrë e vëzhgimit të tyre është kur tymi i këtyre zjarreve arrin të dalë në sipërfaqe duke “çarë” përmes tokës e dëborës.