Në fundin e vitit të kaluar, “Shqiptarët për Shqiptarët” sollën në vëmendje historinë e dhimbshme të Ermelës, një vajzë 10 vjeçare e cila aksidentalisht ishte djegur në thuajse 75% të trupit të saj. Ermela kishte dashur të digjte fijet e fustanit të saj të preferuar, i cili mori flakë dhe i dogji trupin vogëlushes.
Ajo dergjej në spital, me plagët tanimë të infektuara dhe që ia rrezikonin jetën. Në pamundësi për t’i bërë ballë kurimit të specializuar jashtë shtetit, prindërit e Ermelës i bënë thirrje për ndihmë shqiptarëve bamirës.
Në kohë rekord, falë mijëra bamirësve, Ermela u nis me avion të posaçëm në Italinë fqinje, ku dhe vijoi kurimet në një dhomë të posaçme për shërimin e plagëve të saj. Javët kanë kaluar dhe së fundmi, nëna e Ermelës na ka sjellë një video që na solli buzëqeshje.
Tanimë Ermela nuk rrezikon më, ka dalë nga reanimacioni dhe qëndron edhe për pak kohë e shtruar. Sot Ermela është mirë me shëndet dhe në rrugën e duhur të shërimit. E një gëzim të madh na japin fjalët e Shpresës, nënës së Ermelës. Kjo nënë pa me sytë e saj momentin kur flakët ia përfshinë trupin të bijës. Pak javë më parë, Shpresën e shoqëronin vetëm lotët, ndërsa tanimë, buzëqeshja është kthyer në fytyrën e saj.
“Jam mami Ermelës. Vajza ishte në gjendje kritike për jetën, por tani është shumë më mirë. Ermela tani ka dalë nga reanimacioni. Ka shumë më pak dhimbje, ndihet më mirë. Unë i falenderoj të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, Elvis Naçin, Fondacioni Firdeus, që bënë të pamundurën që sot vajza ime të jetë në gjendje të mirë. Ju falenderojmë të gjithëve, ju duam shumë.”-thotë nëna e Ermelës.