Lushnje: 1 i vdekur e 8 të plagosur si pasojë e shpërthimit të fuqishëm, vinçi këputi linjën e tensionit të lartë

Një shpërthim i fuqishëm ndodhi në orët e pasdites në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit” në Lushnje.

Shpërthimi ndodhi pasi një vinc ka prekur aksidentalisht një linjë të tensionit të lartë, duke gjeneruar një shpërthim që është dëgjuar në thuajse të gjithë qytetin.

Për pasojë drejtuesi i vinçit i identifikuar si Roland Hoxha, fatkeqësisht ka ndërruar jetë.

Prej aksidentit janë plagosur të paktën 8 persona që ndodheshin pranë vendit të ngjajes. Tre prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë. Mes të lënduave rëndë rezulton të jetë dhe deputeti i PS-së Bujar Çela, i cili i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale.

“Rreth orës 16:05 në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit”, në një kapanon në ndërtim dyshohet se gjatë punës, një vinçier duke drejtuar një vinç, aksidentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm.

Si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën shtetasi L. V., dhe janë plagosur 8 shtetas mes tyre dhe deputeti B.Ç, të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjeksore.

Menjëherë nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier dhe Komisariati i Policisë Lushnjë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.”, thuhet në njoftimin e policisë