Çfarë dihet deri më tani për tragjedinë me dy viktima në Lushnje, si është gjendja e të plagosurve

Ishte ora 15:30 e kësaj të premteje momenti kur një kamion i pajisur me një vinç ka rënë në kontakt me një shtyllë të tensionit të lartë. Shpërthimi që pasoi u dëgjua në të gjithë qytetin e Lushnjes dhe la pas një tragjedi me dy viktima dhe 6 të plagosur.

Momenti i shpërthimit

Viktimat dhe të plagosurit

Në kamion ndodheshin dy persona, Roland Hoxha (Vreçani) dhe i biri Elidoni. Rolandi ka ndërruar jetë në vend, ndërsa djali i tij në të 20-tat u plagos rëndë. Ky i fundit humbi jetën pak orë më vonë, gjatë transportimit të tij drejt spitalit të Traumës në Tiranë. Veç babë e bir, të plagosur mbetën dhe 6 persona të tjerë, mes tyre një deputeti i PS-së Bujar Çela.

Si ndodhi shpërthimi, pista paraprake

Ende mbetet e paqartë sesi ka ndodhur shpërthimi i fuqishëm që solli tragjedinë. Ka dyshime se në momentin e kontaktit me shtyllën e tensionit të lartë, në kamion po ngarkohej një bombul me oksigjen që do të përdorej për të salduar. Një pistë e tillë mbetet ende e pakonfirmuar derisa në vendin e ngjarjes të kryhet një hetim i plotë.

Gjendja e të plagosurve

Në lidhje me të plagosurit (2) në gjendje më të rëndë, ka folur dhe shefi i shërbimit të urgjencës në spitalin e Traumës, dr. Gjovalin Bushi.

“Pacienti i parë ka ardhur rreth orës 17:30. Kishte dëmtime në kokë. Ka një hematomë masive në kokë. Tani ndodhet në sallë, duke u operuar. Gjendja është stabël, por mendohet se ka nga të dyja anët e kokës hematomë.

I dyti pacient është deputeti. Është intervenuar në Lushnje, në ndërhyrje. E kemi riparë dhe dyshohet se ka cifla metalike edhe në pjesën e abdomenit. Stabël është gjendja, por ndërhyrja e tij do të zgjasë pasi ka shumë dëmtime e duhen larguar ciflat metalike. Në një moment të dytë do t’ju japim sërish informacion”-tha mjeku Bushi.

Të plagosurit e tjerë aktualisht ndodhen në spitalin e Lushnjes dhe nga të dhënat e deritanishme, janë jashtë rrezikut për jetën.

Pasojat e shpërthimit

Shpërthimi i ndodhur në orët e pasdites ka qenë mjaft i fuqishëm, aqsa ka sjellë dëme në një rreze prej dhjetëra e dhjetëra metrash. Veç xhamave të thyer kudo përreth e më tutje shpërthimit, ka raportime se disa mure të godinave aty pranë kanë pësuar deri në krisje/plasaritje.

Rrëfimi i dëshmitarëve

Në mesin e objekteve të dëmtuara prej shpërthimit, ka qenë dhe një biznes në katin e parë të një pallati aty pranë. Pronari i dyqanit tregoi se tronditja ka qenë e fuqishme dhe se gjëja e parë që ka bërë është të ngjitet lart në banesë për të larguar fëmijët.

“Në momentin e shpërthimit isha në dyqan duke punuar si normalisht vetëm kur dëgjojmë një shpërthim të madh. Tronditja ishte e fuqishme. Na ka bërë dëm në dyqan dhe në shtëpi. Në momentin e parë nuk e dinim se cfarë ishte, fillimisht menduan të shpëtonim ca kishim, morëm fëmijët i nxorrëm jashtë. Duke u qetësuar duke parë dëmet, nga biznesi edhe të banesa. Janë dëmtuar edhe biznesi edhe shtëpi. Punë  2-3 sekondash, por ishte shumë i fuqishëm. Kujtova se plasi bomba te shtëpia lart” tha ndër të tjera ai.