“Shqiptarët duhet të kenë 4 deputetë në parlamentin grek” Letra e Mid’hat Frashërit për Lidhjen e Kombeve

Më 3 mars të vitit 1921 Mid’hat Frashëri i drejtohej me një letër Lidhjes së Kombeve për të vënë në dukje sesi shqiptarëve në Greqi e Serbi po i shkeleshin të drejtat.

Në cilësinë e drejtuesit të delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, Frashëri vinte në dukje se në bazë të numrit të popullsisë, shqiptarëve i takonin 4 karrige në parlamentin grek.

 “Në përputhje me popullsinë në territorin e aneksuar, shqiptarët duhet të kenë 4 përfaqësues në parlamentin grek. Megjithatë, këta deputetë nuk janë caktuar ende, gjë që bie në kundërshtim me ligjet kushtetuese. Minoriteti i shqiptarëve në Greqi është gjithashtu i privuar nga çfarëdo përfaqësimi.”- shpjegonte Frashëri.

Njëlloj si për Greqinë, Mid’hat Frashëri theksonte sesi qeveria jugosllave po i mohonte të drejtat shqiptarëve në Serbi, duke mos i njohur gjuhën.

“Padrejtësi të ngjashme ushtrohen edhe nga qeveria serbe, e cila i mohon minoritetit shqiptar privilegjin e njohur të mësimit të gjuhës së tyre amtare, pavarësisht parashikimeve të Traktatit të Saint Germain-it, përmes të cilit mori përgjegjësinë për të respektuar të drejtat e minoriteteve.”- përmbyllte letrën Frashëri.