Lushnje: Një 32 vjeçar arrestohet në lidhje me shpërthimin ku humbën jetën babë e bir

Një 32 vjeçar ëstë arrestuar me urdhër të prokurorisë nën akuzën e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, në lidhje me tragjedinë me dy viktima e 7 të plagosur në Lushnje.

Policia ka njoftuar se në pranga ka  rënë Leonard Gjini. 32 vjeçari ishte përgjegjësi i punimeve në ndërtimin e kapanonit që rezulton të jetë në pronësi të deputetit Bujar Çela, një prej të plagosurve nga shpërthimi i fuqishëm.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplinës teknike të mbrojtjes në punë dhe nuk ka marrë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda.”-njoftuan autoritetet.   

Kujtojmë se më 1 mars rreth orës së 15:30, shpërthimi u dëgjua në të gjithë qytetin. Dyshimet janë se atje shpërthyen disa bombula oksigjeni që do të përdoreshin për saldim. Për pasojë, humbën jetën babë e bir, Roland e Elidion Hoxha, si dhe u plagosën 7 persona të tjerë. Veç tragjedisë së humbjeve në jetë, shpërthimi solli dëme të konsiderueshme edhe në godinat e bizneset aty pranë.

Njoftimi i policisë:

“Vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit, për dokumentimin e rrethanave të shpërthimit të ndodhur në një kapanon në ndërtim, më datë 01.03.2024.       

Në vijim të këtyre veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin e shtetasit:     

Leonard Gjini, 32 vjeç, banues në fshatin Goriçaj, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasoja të rënda.     

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplinës teknike të mbrojtjes në punë dhe nuk ka marrë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda.    

Si pasojë e shpërthimit në kapanonin me lëndë djegëse, në lagjen “Karbunarë e madhe”, më datë 01.03.2024, ndodhi një shpërthim nga i cili humbën jetën 2 shtetas dhe u dëmtuan 7 të tjerë të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.             

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të kësaj ngjarjeje.        

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.”-njoftoi policia.