Në Shqipërinë tonë të vogël, numri i aksidenteve rrugore është i lartë. Shkaku kryesor i aksidenteve mbetet mosrespektimi i rregullave rrugore dhe shpejtësia. Të dyja këto shkelje, kryhen pikërisht nga moshat e reja 24-35 vjeç, të cilët prej kohësh zënë peshën dominante të numrit të aksidenteve rrugore që ndodhin.
Por prej kohësh në vendin tonë, ka dhe një tjetër fenomen që e gjen në shumë qytete. Të rinj që mblidhen me makina në rrugë të caktuara e që shpeh herë kryejnë veprime të papërgjegjshme e deri në akte të rrezikshme për jetët e tyre dhe të të tjerëve.
Rasti i fundit i regjistruar në Burrel, është një prej të tilla rasteve. Një 32 vjeçar është ndaluar nga policia pasi në orët e mbrëmjes ka dalë në një qendër të banuar të qytetit dhe ka nisur të bëjë ‘drift’ me makinën e tij. 32 vjeçari është gjobitur me një vlerë prej 40 mijë lekësh (të reja).
Makina rezulton të jetë me targa italiane…
Njoftimi i policisë:
Bëri drift me automjet, në qendër të banuar, ndëshkohet me masë administrative 40 000 lekë, 32-vjeçari.
Bazuar në disa pamje filmike në të cilat shfaqet një automjet me targa italiane, duke kryer manovra të rrezikshme (drift), në qytetin e Burrelit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat dhe ata të Policisë Rrugore kanë kryer veprimet për identifikimin dhe ndëshkimin e drejtuesit të automjetit.
Drejtuesi i automjetit, shtetasi E.H., 32 vjeç, banues në Itali, është shoqëruar në Komisariat, bashkë me automjetin e tij.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët e Policisë Rrugore i’u vendos masa administrative 40 000 lekë, bazuar në nenin 139 të Kodit Rrugor.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit.