Fredi Beleri dënohet me dy vite burgim

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar  ka shpallur fajtor kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, duke e dënuar me 2 vite burgim për akuzat e korrupsionit zgjedhor.

I akuzuar si bashkëpunëtor i Belerit, Pandeli Kokaveshi u shpall i fajshëm dhe u dënua me 1 vit e gjysëm burgim, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, koha në qeli iu konvertua në 3 vite shërbim prove.

Trupa gjykuese që dha vendimin përbëhej nga gjykatësit Erjon Çela, Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj.

Avokati mbrojtës i Belerit, Geni Gjyzari, deklaroi para ambienteve të SPAK-ut se vendimi është kryekëput politik dhe me porosi të kryeministrit të vendit Edi Rama.

 “E padëgjuar të ndërpritet fjala e të pandehurit, është vendim e dënim politik. Siç e porositi kryeministri, ashtu veproi dhe kjo gjykatë”, tha avokati.

Vendimi për burgosjen e Belerit nënkupton zgjedhje të reja në bashkinë e Himarës. Kujtojmë se Beleri qëndronte në paraburgim prej mëse 10 muajsh, kohë e cila do t’i llogaritet në dënim. Beleri do të transferohet në një burg të sigurisë së zakonshme, ndërsa shpenzimet e gjyqit i ngarkohen të shpallurve të fajshëm.