Lushnje: Për pronën vëllai godet të vëllanë me sopatë, 77 vjeçari kundërpërgjigjet duke qëlluar me armë

Një konflikt për motive pronësie ka bërë që dy vëllezër në moshë t’i drejtohen armëve. Njëri prej tyre akualisht ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sherri nisi rreth orës 08:00 të mëngjesit së të mërkurës në fshatin Qukas i vjetër të Lushnjes, atje ku Haziz Musai ka goditur të vëllanë 77 vjeçar Nazif Musai me sopatë. I moshuari është kundërpërgjigjur, duke qëlluar të vëllanë me pistoletë. Hazizi është nisur me urgjencë për në spitalin e traumës në Tiranë, pasi gjendja e tij shëndetësore është kritike.

“Rreth orës 08:00, në fshatin Qukas i Vjetër, dyshohet se për shkak të konflikteve për motive pronësie, shtetasi H. M. ka goditur me mjet prerës (sopatë), vëllanë e tij, shtetasin N. M., rreth 77 vjeç, ndërsa ky i fundit ka plagosur shtetasin H. M., me armë zjarri pistoletë.

Të dy të dëmtuarit janë transportuar në spital, ku janë në kujdesin e mjekëve. Aktualisht, shtetasi H. M. është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit pistoletë dhe mjetin prerës (sopatë), të përdorura gjatë konfliktit.

Grupi hetimor po punon për të dokumentuar me prova ligjore rrethanat e rastit.”, thuhet në njoftimin e policisë.