Durrës: 3 vjeçarja rrëzohet nga kati i shtatë i pallatit, shpëton pasi bie mbi tendën e një marketi

Një vajzë 3 vjeçe ka rënë nga një lartësi e konsiderueshme mbrëmjen e kaluar në qytetin e Durrësit. Vajza ndodhej me prindërit në ballkonin e apartamentit të tyre në katin e shtatë, në momentin kur e mitura ka rënë aksidentalisht.

Për fat të mirë, vajza ka rënë mbi tendën e një marketi poshtë pallatit, e cila ka zbutur ndjeshëm impaktin e rënies. Tre vjeçarja u dërgua në gjendje të rëndë në spitalin e traumës, por fatmirësisht ajo tanimë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Durrës/Informacioni paraprak dhënë mbrëmjen e djeshme

Rreth orës 20:07, në lagjen nr. 13, dyshohet se aksidentalisht ka rënë nga ballkoni i apartamentit në kat të shtatë, ku ishte së bashku me prindërit e saj, një 3-vjeçare.

Si pasojë e dëmtimeve të marra, e mitura po merr ndihmë mjekësore në spitalin rajonal të Durrësit dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Grupi hetimor po punon për sqarimin dhe dokumentimin me prova ligjore të rrethanave të ngjarjes.