Greqi: 11 vite abuzim me vajzën e partneres, arrestohet 36 vjeçari shqiptar

Një 36 vjeçar me origjinë nga Shqipëria është arrestuar nga policia së bashku me partneren e tij në moshën 50 vjeçare (po me origjinë shqiptare), nën akuzën e rëndë të abuzimit seksual.

Siç raporton media vendase atje, shqiptari akuzohet nga vajza e partneres së tij se prej 11 vitesh ai e ka abuzuar seksualisht, qëkur ajo ka qenë 14 vjeçe. E veç abuzimit, 25 vjeçarja tregoi se ‘njerku’ e ka filmuar dhe kërcënuar prej vitesh.

Vajza ka folur për median greke, duke thënë se e ëma nuk ishte në dijeni të krimit.

 “Nëna ime nuk dinte asgjë. Gjithçka është bërë në fshehtësi. Ai (njerku) ishte kokëfortë dhe xheloz edhe kur më shihte duke dalë me miqtë e mi. Mamaja ime nuk e kuptonte pse ai sillej ashtu. Nuk kisha folur me të sepse nuk doja ta mërzisja. Ajo nuk ka ditur asgjë deri ditën e martë, kur çështja u bë publike.”-tha vajza për Protothema

Çifti është arrestuar nga autoritetet greke. Në shtëpinë e tyre janë gjetur pas një kontrolli të policisë lëndë narkotike, armë, një shumë e madhe parash dhe thika.

Vajza e denoncoi rastin pak ditë më parë, fill pasi sipas saj 36 vjeçari e përdhunoi sërish.