Rusia e Kina kanë nisur bashkëpunimin për të krijuar dhe vendosur në Hënë një reaktor nuklea brenda vitit 2035.
Kështu tha të martën kreu i agjencisë ruse të hapësirës (Roscosmos) Yuri Borisov, raporton Reuters.
Borisov shtoi se prej kohësh Rusia e Kina po punojnë së bashku për një program hapësinor në Hënë dhe se Rusia e ka dhënë kontributin në ekspertizën për energjinë nukleare në hapësirë.
“Sot ne seriozisht po konsiderojmë projektin për të dërguar dhe instaluar një njësi nukleare në Hënë së bashku me kolegët tanë kinezë”-tha Borisov, i cili shtoi se panelet diellore thjesht nuk janë të mjaftueshëm për të gjeneruar energji të mjaftueshme për vendbanimet e bazat e ardhshme hënore.
Kreu i Roscosmos tha gjithashtu se Rusia ka plane konkrete për të ndërtuar një anije kozmike që do të funksionojë falë fuqisë nukleare. Ai shtoi se për shumë probleme teknike është gjetur zgjidhje, por ende jo për mënyrën e ftohjes së reaktorit nuklear (në hapësirë).
“Ne po punojmë në fakt për një ‘rimorkiator’ në hapësirë. Një strukturë e tillë masive do të ishte e aftë falë fuqisë nukleare që të transportonte materiale të shumta në orbita të ndrysme, të mbledhë mbetje hapësinore dhe të tjera aplikime me rëndësi”-përfundoi Borisov.
Vitin e kaluar Rusia nisi misionin e saj drejt Hënës i quajtur Luna-25, por anija kozmike humbi kontrollin dhe u përplas në sipërfaqen e satelitit tonë, pa mundur të ulet.
Kina nga ana tjetër, tha se ka për qëllim që të dërgojë astronautë në Hënë para vitit 2030.
Burimi: Reuters/ Përshtati: FCH.al