Sherr në banesë me burrin, 22 vjeçarja në Sarandë godet me thikë bashkëshortin

Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e të mërkurës në Sarandë, atje ku një 22 vjeçare ka goditur me thikë bashkëshortin 28 vjeçar.

Shkak i ngjarjes ka qenë një sherr i momentit në banesën e çiftit në lagjen nr.2 të qytetit bregdetar. 28 vjeçari është goditur në pjesën e shpatullës dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Rreth orës 17:30, në lagjen nr.2, në banesën e tyre, shtetasja A. Z., 22 vjeçe, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës, në zonën e shpatullës, bashkëshortin e saj, shtetasin L. Z., 28 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë shtetasja A. Z., është shoqëruar nga shërbimet e Policisë, në Komisariatin e Sarandës, për veprime të mëtejshme hetimore.

Vijon puna e grupit hetimor për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”-njoftuan autoritetet.