“T’i rrojë djali, jam pa fjalë” Flasin koleget e 58 vjeçares që u shtyp për vdekje nga makina në Delvinë

Shkëndije Halili, punonjëse e pastrim-gjelbërimit në bashkinë e Delvinës, humbi jetën këtë të premte (dita ndërkombëtare e gruas) teksa sapo kishte nisur punën në orët e hershme të mëngjesit.

58 vjeçarja u godit nga një makinë që drejtohej nga një 30 vjeçar, tanimë i arrestuar. Fatkeqësisht punonjësja s’mundi t’i mbijetojë dot plagëve. Për median folën disa nga koleget e saj, të cilat mes lotëve thanë se ajo ishte grua punëtore dhe e mrekullueshme.

“Shumë e dhimbshme është por nuk di se çfarë të them aq më tepër që ndodhi në një ditë si kjo. Asaj i takonte që të dilte të festonte si të gjitha nënat e tjera shqiptare. Fati donte kështu. Nuk kam fjalë ishte një grua e mrekullueshme një shoqe e mirë, një grua punëtore e kishim krah në punë. Një gjymtyre e jona është shkëputur nga ne. Nga gjithë kolektivi jonë. Nuk kam fjalë.”-tha një grua.

“Secili punonte në sektorin e tij. Në mëngjes në orën 4 e 30 ka dalë nga shtëpia, na vjen lajmi në orën 6 që e ka përplasur makina. Qe në koma në Sarandë, e pastaj mësuam që vdiq. T’i rrojë djali, s’kam fjalë. Na dhemb sa nuk ka më, na ka ikur një pjesë e zemrës. Vajti 1 vit me ne që po punonte. Qe shumë vajzë e mirë e dashur me të gjitha.”-tha një tjetër grua, kolege e të ndjerës.