Sherri nisi në rrjetet sociale, kush është i riu që u godit për vdekje me thikë në qendër të Fierit

19 vjeçari Grei Bihuci humbi jetën paraditen e të hënës pas një sherri me 18 vjeçarin Florian Muka. Viktima dhe autori i dyshuar kishin patur një sherr në rrjetet sociale, konflikt i cili u bë shkas që këtë të hënë 18 vjeçari Muka të qëllonte me thikë 19 vjeçarin.

Grei arriti të transportohej në spital, por nuk mundi t’i mbijetojë dot plagëve. 19 vjeçari ishte nxënës i shkollës profesionale “Petro Sota” në degën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK). Pasditeve i riu punonte si kamarier.

Në sherrin mes dy të rinjve ndërhyri dhe një 20 vjeçar, i cili mbeti i plagosur gjatë orvatjeve për të shuar konfliktin. Fatmirësisht ai ndodhet jashtë rrezikut.

Policia ndërkohë ka arrestuar autorin e dyshuar ndërsa hetimet kanë nisur për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje të rëndë.

NJOFTIMI I POLICISE:

Rreth orës 11:30, në bulevardin “Jakov Xoxa”, shtetasi F. M., 18 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin G. B., 19 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën në spital.

Në spitalin e Fierit është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi O. S., 20 vjeç, i cili në momentin që ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit është dëmtuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe shoqëruar në Polici shtetasin F. M, dhe po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.