“Ju uroj nga thellësia e zemrës” Mesazhi i Elvisit për besimtarët në muajin e Ramazanit

Kjo e hënë shënon nisjen e muajit të bekuar të Ramazanit. Çdo ditë nga ekrani i televizioni abc albania dhe në rrjetet sociale, do të transmetohet një emision kushtuar muajit të madhëruar, mesazheve domethënëse, profetëve të mëdhenj dhe veprës së mirë.

Në hapje të emisionit, Elvis Naçi iu drejtua me një urim të gjithë besimtarëve muslimanë si dhe vuri në dukje peshën e madhe të muajit të Ramazanit.

“Përshëndetje vëllezër e motra shqiptarë. Nga thellësia e zemrës ju uroj një Ramazan të begatë, të lehtë e të pranuar, një Ramazan që do ta kënaqë Zotin e Gjithësisë. Do të jemi çdo ditë së bashku, me një temë specifike. Ne do të flasin gjatë gjithë muajit të Ramazanit për gjigandët e mëdhenj, profetët.

Do t’i sugjeroja të gjithë besimtarëve, ka ardhur muaji i madhërueshëm. Qëllimi është që ne të marrim drejtimin e jetës. Shpesh herë, jashtë Ramazanit, njeriu është i dyzuar, ngannjëherë gjykon me mendje të kthjellët, por nganjëherë e marrin epshet e pasionet. Esenca e këtij muaji është që ne të marrim frenat e jetës sonë, sepse shenjtani i mallkuar, veset, kotësia, mashtrimet e kësaj bote, të na bëjnë të humbim busullën. Për këtë arsye, i Madhi Zot, duke ditur natyrën tonë, e ka sjellë muajin e madhëruar të Ramazanit.”-tha Elvisi.