Vrasja e 20 vjeçarit në Fier për një “like” në rrjete sociale, veç autorit policia arreston dhe një 17 vjeçar

Grei Bihuci, 20 vjeçari i cili u godit për vdekje me thikë në qendër të Fierit, përcillet këtë të martë për në banesën e fundit.

24 orë pas krimit të rëndë, policia ka njoftuar mbi arrestimin e një tjetër personi, një 17 vjeçar, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në krim së bashku me autorin kryesor të dyshuar, 18 vjeçarin Florian Muka.

Policia sqaron se veç armës së krimit thikë, është gjetur në cilësinë e provës materiale dhe një përforcues grushti.

“…informojmë se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier, në drejtimin e Prokurorisë, u arrestuan në flagrancë shtetasit F. M., 18 vjeç, banues në Fier dhe K. M., 17 vjeç, banues në fshatin Kallm i Madh, Fier.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë vrarë me mjet prerës (thikë), shtetasin G. B., 19 vjeç, dhe kanë plagosur shtetasin O. S., 20 vjeç, i cili është në spital, jashtë rrezikut për jetën.”-njoftojnë autoritetet.

Sherri mes të rinjve dyshohet se ka nisur për një “like” ndaj një vajze në rrjetet sociale. Viktima 20 vjeçare u godit disa herë me thikë dhe ndërroi jetë në spital prej plagëve.

Grei Bihuci studionte në shkollën e mesme profesionale ‘Petro Sota’ për informatikë (Tik), ndërsa pasditeve punonte si kamarier në një bar- pastiçeri, fare pranë vendit ku ndodhi krimi.