Me ardhjen e muajit të bekuar të Ramazanit, të gjithë muslimanët kudo nëpër botë nisin agjërimin, një prej 5 shtyllave të besimit Islam.
Shumë prej nesh kanë dëgjuar apo njohin besimtarë që gjatë muajit të Ramazanit respektojnë agjërimin, por nga ana tjetër përgjatë 11 muajve të tjerë, nuk respektojnë në vijimësi faljen e namazit.
Lind natyrshëm një pyetje për këtë rast. A njihet tek Zoti agjërimi pa rastin e plotësimit të shtyllave të tjera të Islamit (duke përjashtuar Shehadetin).
Pikërisht për pyetje dhe të tjera tema që kanë lidhje me besimin, çdo ditë pranë orës së syfyrit do të transmetojmë një podcast të shkurtër me Elvis Naçin.
Në këtë episod të parë Elvisi shpjegoi kuptimin dhe fuqinë e muajit të Ramazanit, agjërimin dhe lutjet më themelore që duhet të bëjë një besimtar gjatë këtij muaji të madhëruar
-Agjërimi është i rëndësishëm, por ne njohim dhe adhurime tjera të rëndësishme. Por askush nga adhurimet e tjera nuk është futur në 5 shtyllat e islamit. Përse pikërisht agjërimi hyn tek 5 shtyllat
Elvisi: Sepse për 11 muaj, na ka humbur timoni i jetës. Zoti i Gjithësisë vendosi tek shtyllat e Islamit, gjëra themelore për jetën. Agjërimi i muajit të Ramazanit është thuajse më specifiku. Për 11 muaj, le të themi të drejtën, shumica jonë e humb busullën… për 11 muaj njeriu ballafaqohet me vesin, me pasionin.
Ky është një muaj i bekuar, i madhërueshëm, sepse brenda këtij muaji hyjnë të gjithë shtyllat e islamit. Hyn namazi që falemi 5 vakte, teravia shtohet, jepet zekati ku shumica muslimanëve e japin gjatë muajit të Ramazanit dhe mbetet haxhi. Pra shumica hyjnë brenda muajit të bekuar.
Por thelbi, që ta kuptojnë të gjithë, nuk është të lësh ushqimin dhe pijen. Njeriu bën dietë edhe jashtë Ramazanit, por thelbi është të marrësh drejtimin e jetës.
Ne kemi mundësi ta marrim në dorë timonin e jetës sepse i Madhi Zot, i përblodhi gjërat themelore të Islamit brenda një muaji të madhëruar. Ky është muaji i Kur’anit. Thelbi e zemra e Islamit është Kur’ani. Pejgamberit i zbriti Kur’ani dhe ai e praktikoi atë.
-Shpesh me njerëzit që janë besimtarë, ballafaqohemi me atë dëshirën e madhe për të agjëruar në muajin e Ramazanit. A pranohet apo njihet tek Zoti vetëm një prej shtyllave të islamit, pra supozohet se e kemi kaluar të parën që është Shehadeti, dhe nuk e kemi shumë praktikant apo maksimumi për ditë të premte dhe me agjërimin…njihet tek Zoti ky adhurim, pa të tjerat?
Elvisi: Është një pikpyetje shumë e madhe, sepse ka njerëz që nuk falen 5 vakte, por agjërojnë. Në pikëpamje të parë, është më vështirë të agjërosh 1 muaj sesa të falesh çdo ditë nga 5 minuta, pra 25 minuta. Por çfarë tregon kjo për natyrën njerëzore? Kjo tregon se njeriu mund të shtrëngohet për një muaj, por nuk mundet për të gjithë vitin, sepse 5 vaktet janë çdo ditë për gjithë vitin. Njeriu gjen forcë për një muaj të bëhet i devotshëm, kurse kur vjen puna për të gjithë vitin (5 vaktet) nuk e bën.
Zoti i Gjithësisë, na ka treguar se kur do të dalin para Tij në Ditën e Gjykimit, do të na i vërë veprat në peshore. Si mund të guxojmë ne të ndalojmë dikë që të agjërojë sepse nuk plotëson një tjetër shtyllë të Islamit, kur vetë Zoti na ka thënë veprat e mira e të këqija do të vihen në peshore.
Si mund t’ja ndalojmë ne dikujt t’i vihet agjërimi në peshore. Shtylla e parë (Shehadeti) është e panegociueshme. Pra që Zoti i Gjithësisë është Një dhe i Vetëm dhe Pejgamberi i tij Muhamedi është i dërguari i Tij. Kjo të bën musliman. Pa këtë nuk hyn në Islam.
-Shikojmë një fenomen vitet e fundit, zbukurimi i qyteteve në muajin e Ramazanit, kudo nëpër europë. A po shkojmë drejt një komercializmi të Ramazanit me drita me banera etj…
Elvisi: Jo nuk e mendoj kështu. Për faktin se agjërimi, Ramazani është social. Vetë Islami është i tillë. Për shembull, shtylla e dytë e islamit, namazi. Kush falet në shtëpi ka një shpërblim. Kush falet në xhami me besimtarët e tjerë ka 27 shkallë më shumë.
E njëjta gjë, kush ha iftar vetëm apo me bashkësinë. Ai që ha iftar me bashkësinë ka më shumë shpërblime. Islami nuk do që ti të përsosësh vetëm veten.
Jemi drejt fundit. Do kishim dëshirë për një lutje…
Elvisi: Në Ramazan do t’u sugjeroja njerëzve që minimuni të luten për 4 gjëra themelore
T’i lutemi Zotit që të na falë kusuret dhe mëkatet.
T’i lutemi Zotit një dhuratë të madhe, që t’i themi o Zot na bëj nga të dashurët e tu për të cilët nuk ka frikë e dëshpërim.
T’i lutemi Zotit të na dhurojë xhenetin e t’i lutemi Zotit të na ruajë nga zjarri i xhehenemit.
E kur të mbarojmë këto lutje të themi, bëje Zot këtë për ne, për familjet tona dhe për të gjithë ymetin e Pejgamberit alej selam.