Vau i Dejës: 38 vjeçari tenton të vrasë nënë e bir, duke i përplasur me makinë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Vaun e Dejës, atje ku një 38 vjeçar ka tentuar t’i marrë jetën dy personave, nënë e bir, duke i shtypur me makinë.

Një debat për motive banale mes të treve, ka bërë që 38 vjeçari të përdorë makinën e tij me qëllim për të vrarë kolegët e tij, një grua 60 vjeçe dhe të birin 32 vjeçar.

38 vjeçari i ka përplasur me automjet në rrugën e dedikuar për këmbësorë nënë e bir, të cilët fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë autori është arrestuar, ndërsa makina e tij u sekuestrua për zbardhejn e plotë të ngjarjes.

“M. M., 38 vjeç, banues në fshatin Kosmaç, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.

Ky shtetas, më datë 15.03.2024, në Bushat, dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë, duke i përplasur me automjetin që drejtonte, në korsinë e dedikuar për këmbësorë, 2 kolegët e tij, shtetasit D. N., 60 vjeçe dhe K. N., 32 vjeç (nënë e bir), të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Automjeti që drejtonte shtetasi M. M. është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.”-thuhet në njoftimin e policisë.