“Quhem Feride Hoxha. Jam gjyshja e femijeve. Nusja nderroi jete pas lindjes. Ia mori jeten nje trompozë dhe i la jetimë 4 fëmijë. Ajo ishte veçse 30 vjeçe…i dha Zoti 4 yje, por ajo e mbylli jetën shumë shpejt.”
Këto janë fjalët e një të moshuare, familja e të cilës është përballur me një sprovë të madhe. Nusja, veçse 30 vjeçe, u largua nga kjo botë tragjikisht, duke lënë pas 4 fëmijë. Njëri prej tyre, ende foshnje në djep.
Nënë Ferideja na tregon me lotë në sy, se tanimë është ajo e cila do të bëhet nënë e mbesave e nipave të saj, në moshë të thyer.
“Tani është detyruar djali të na marrë këtu, që unë të kujdesem për fëmijët. 7 vetë, një njeri nuk i mban dot”-tregon e moshuara.
Fondacioni Firdeus vendosi që të ndihmojë nënë Feridenë, duke ia lehtësuar sadopak barrën e rëndë që mban e moshuara. Fatma Naçi së bashku me vajzat e konviktit të Firdeus, vizituan familjen Hoxha, për t’i dhënë nënë Feridesë lajmin e bukur.
Fatma: Tani është përgjegjësi e jotja të rrisësh fëmijët…
Nënë Ferideja: I lutem Zotit, t’i fali shëndet fëmijëve.
Fatma: Nënë Feride, ti ke nevojë për shërbim… si ia del të mbash fëmijët dhe një foshnje të vogël…?
Nënë Ferideja: Çfarë të bëj? Zoti insha allah më jep forcë, janë jetimë. Nusja ishte në lule të rinisë, la pas 4 fëmijë (përlotet)
Fatma: Jetimi është në dorë të Zotit. Të lutem mos u mërzit, Zoti do të të japë forcë dhe shpresë. Fondacioni Firdeus do të të bëjë një dhuratë të vogël
Fatma i tregon nënë Feridesë se falë bamirësisë së shqiptarëve, Fondacioni Firdeus i ka vendosur nënë Feridesë një pension mujor për të mbuluar shpenzimet e shumta që kanë vogëlushët.
Fatma: Një pension mujor nga Fondacioni. Ta dish që nuk mbaron me kaq, sepse ne do të jemi afër teje në çdo moment. Je një shembull shumë i mirë, i një nëne, i një gjysheje. Vetëm një gjë ta dish, që shpërblimi tek Zoti do të jetë shumëfish për ty…
S’mund të largoheshim nga familja Hoxha, pa lumturuar sadopak jetimët, të cilët janë përballur me vdekjen e nënës së tyre në një moshë kaq të vogël.
Fondacioni solli një sërë dhuratash dhe sendesh në dobi të fëmijëve, ndërsa buzëqeshjet e tyre, ishin një bekim dhe lumturi për të gjithë ne.