“Ju lë amanet bijtë e mi, hirin e trupit tim…” Podcast me Elvis Naçin: Mbi Mëshirën e Zotit të Madhëruar

Në episodin e radhës në Podcast, Elvisi shpjegon një prej elementëve më të rëndësishëm që duhet të gjejë vend dhe burojë në shpirtin e çdo njeriu… mëshirën.

Përmes ajeteve të Kur’anit Famëlartë dhe Haditheve, biseda nis nga Mëshira e Krijuesit të Gjithësisë, për të zbritur më tutje në mëshirën e Profetit Muhamed dhe atë të njerëzve të thjeshtë.

Në këtë artikull, ndalemi tek Mëshira e të Gjithëmëshirshmit… nga Dita e Gjykimit, deri tek historia e një burri (babai) që del para Krijuesit.

Elvisi: Zoti i Gjithësisë përmend ajete shumë të forta për Ditën e Gjykimit dhe vendos aty emrin e Tij, “Er-Rrahman” (I Gjithmëshirshmi)

Për shembull, surja Taha… “në atë ditë njerëzimi do të shkojë pas Thirrësit.”

Ringjallen më njerëzit? Janë të paorientuar. Por thuhet në Kur’an… “e ndjekim një thirrës që i thotë: Nisuni në këtë drejtim për në fushën e Mahsherit, sepse aty do të gjykoheni”.

Vijon të thuhet…”zërat janë të frikësuar, fytyra tregon frikë të madhe përpara të Gjithëmëshirshmit, dhe nuk dëgjohet veçse një zhurmë e vogël”.

E çfarë është kjo zhurmë e vogël? Zhurma e hapave…

Por në këtë skenë të frikshme, këtu Kur’ani përdor emrin Er-Rrahman” (Të Gjithëmëshirshmin).

Tregohet, se një njeri, kishte pakënaqësi tek vetja. I thanë mjekët do të vdesësh. Ai thirri fëmijët e tij dhe i pyeti, çfarë babai mendoni se kam qenë. Ata iu përgjigjën duke i thënë se nuk dinë baba më të mirë se çke qenë… por babai i përgjigjet ‘po më thoni për të më kënaqur, sepse unë e shoh që me veten, me Zotin, nuk i kam punët mirë’.

Babai u lë një amanet. ‘Kur të vdes, merreni dhe digjeni trupin tim. Hirin e trupit merreni dhe vendoseni në një kodër e mal të lartë, që kur të vijë era, të zhduket, të mos mbetet më asgjë’.

Një prej fëmijëve e pyet, ‘përse o baba kjo?’

Babai përgjigjet… ‘që të mos mbetet asnjë pjesë e imja, se kam frikë t’i dal përpara Zotit’.

Ai nuk e dinte që Zoti është i Gjithëfuqishëm. Fëmijët ia plotësojnë amanetin. Por ky njeri doli përpara të Madhërueshmit.

“Për çfarë qëllimi e le amanetin?”

“Frika ndaj teje…”

Kaq mundi të thotë ai njeri. Pejgamberi ynë Alejhi Selam thotë (mbi rastin)… “E takoi Zoti atë me mëshirën e Tij dhe e fali, e çoi në xhenet”.

Pra, aty ku futet Mëshira e të Madhit Zot, aty çdo gjë ka arritur kulminacionin.