50 vjeçari merr peng 14 vjeçarin që hyri në sherr me të birin adoleshent

Një 50 vjeçar i cili banonte në Përrenjas, ka rënë në pranga e policisë së kryeqytetit fill pasi ka marrë peng një adoleshent 14 vjeçar.

I riu kishte patur një konflikt me një bashkëmoshatar, të birin e 50 vjeçarit të identifikuar me inicialet Ç.S. Pasi 50 vjeçari mëson se i biri ka hyrë në sherr, ai e ka ‘ndihmuar’ djalin duke marrë peng në makinën e tij 14 vjeçarin.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas njoftimit se 2 shtetas kishin marrë me forcë, në automjet, një shtetas të mitur, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen dhe vënien e autorëve të dyshuar përpara përgjegjësisë ligjore. Si rezultat i veprimeve të specialistëve për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, janë identifikuar, kapur dhe vënë në pranga autorët e dyshuar, shtetasit:

Ç. S., 50 vjeç, banues në Tiranë dhe A. S., 36 vjeç, banues në Përrenjas.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas kanë marrë me forcë, në automjetin e tyre, një shtetas të mitur 14 vjeç, dhe i kanë hequr lirinë atij, duke e mbajtur në automjet, për shkak të një konflikti që 14-vjeçari ka patur me djalin e shtetasit Ç. S. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.”-thuhet në njoftimin e policisë.