Në emisionin e kësaj të shtune në “Histori të Profetëve në Kuran” shkojmë drejt fundit të historisë së Profetit Jusuf alejhi selam, ajo që quhet historia më e bukur në botë.
Pasi Jusufi bëhet drejtues dhe menaxhues i ushqimit për të gjithë popujt, ai përballet sërish me vëllezërit e tij, ata të cilët vite e vite më parë e kishin hedhur në një pus, për ta lënë aty si të vdekur. Tanimë në pozitën e njeriut më të pushtetshëm në Egjipt, Jusufi teston vëllezërit e tij.
Elvisi: De facto, Jusufi u bë drejtues i botës së asaj kohe. Drejtues ishte ai që menaxhonte ushqimin. 7 vite, Jusufi alejhi selam u mor me magazinimin e ushqimit. Në ditën fiks që u plotësua 7 vitëshi, u bllokua çdo gjë. Vijonin ditët, shi nuk kishte. Vijonin ditët, toka nuk mbinte asgjë. Të gjithë u informuan, se në Egjipt është magazinuar ushqim, u bë hambari i botës. Atje mësuan se situatën po e menaxhon një sundues. Lajmi shkoi edhe tek Profeti Jakup, tek babai i Jusufit.
Jakupi i bekoi fëmijët e tij, që ata të niseshin për të marrë ushqim. Vijnë vëllezërit e Jusufit në Egjipt, ata që e keqtrajtuan dhe e lanë në errësirë.
Zoti na faltë, kam një sugjerim për vete dhe të tjerët. Mund të kemi bërë një gjynah para 1 viti, para 3 vitesh, para 20 vitesh. Ajo është aty. Prandaj është muaji i Ramazanit, prandaj është Mëshira e Zotit. Kemi bërë padrejtësi diku, e nëse nuk kemi kërkuar falje tek i Madhi Zot, Ai do të na e kthejë diku. Ky është mësimi.
Vëllezërit e Jusufit vijnë në Egjipt. Ai posaçërisht kishte lënë roje në dyert e Egjiptit. I kishte thënë besnikut të tij, sa t’i shikosh këta njerëz që janë kaq persona dhe nga ky fis, do të më lajmërosh.
Ata kishin ardhur pa e ditur nëse do të merrnin ushqim, apo do të vdisnin prej urisë. Jusufi, gjëja e parë që mund të bënte, ishte t’i largonte. Por jo, ai tha m’i sillni t’i takoj. E fundit gjë që u shkonte në mendje atyre, ishte të përballeshin me Jusufin. Jusufi ishte i veshur me rrobën mbretërore. I thirri aty për t’i parë nëse ishin penduar. I testoi. Ata akoma njeriun që urrenin më shumë, ishte ende Jusufi. Urrenin po ashtu dhe vëllain e vogël,Benjaminin.
Jusufi u tha…”Sa vëllezër jeni?”
Ata iu përgjigjën… “Jemi 10, kemi dhe një vëlla të vogël”
“Nuk ju besoj. Ju mund të keni ardhur për qëllim të keq në Egjipt”-i thoë Jusufi dhe shton “po nënë e babë a keni ju?”
I thanë: Babai ynë është në moshë
“Çfarë meraku ka babai juaj” i pyet Jusufi.
“Kemi patur një vëlla jo të mirë. Atij akoma i rri mendja tek ai”-i thonë vëllezërit.
Jusufit i mbusheshin sytë, por nuk qante. I tha se do t’u japë ushqim, por se ushqimi është shumë i shtrenjtë për t’u blerë. Ai çdo deveje që vinte, u jepte një thes me ushqim, jo më shumë. Pra aq sa i nevojitej një familje.
Ai u tha se “nëse do të keni nevojë për ushqim, do të më sillni dhe vëllain tjetër”.
Por, për çfarë e kishin shitur vëllezërit Jusufin? Vetëm për interesat që të ishin më pranë Jakupit dhe të përfitonin prej tij ndonjë lek.
Jusufi kur u dha ushqimin, i tha shërbyesve “vendosini thasët me ushqim dhe bashkë me to, edhe paratë që ato na dhanë për të blerë, kësisoj, ata do të kthehen sërish”
10 vëllezërit e Jakupit rikthehen në Palestinë dhe i tregojnë babait tyre Jakupit, se mbreti u kishte vënë një kusht, që për më shumë ushqim, do të duhej të sillnin dhe vëllain e tyre të vogël, Benjaminin. Vëllezërit gëzohen për këtë fakt, të mundur nga dëshira për të përfituar sa më shumë ushqim.
Elvisi: Vëllezërit kur u kthyen, i thanë babait, Jakupit.
“Babai jonë, na e dhanë ushqimin. Por na ka vënë një kusht, kërkon dhe vëllain tjetër tonin Benjaminin, kur të rikthehemi për të marrë ushqim”
Jakupi kundërshtoi, ai përmes Benjaminin kujtonte Jusufin. “Si mund t’u lë unë juve Benjaminin, kur me Jusufin më keni bërë gjëmë?”
Por kur vëllezërit kanë hyrë nëpër shtëpitë e tyre, kanë parë ushqimin dhe paratë… ata kanë shkuar me vrap tek Jakupi, duke i thënë se jo vetëm që po marrim ushqim, por as lekë nuk po harxhojmë.
“O baba, na e lë neve Benjaminin, se ne do të sakrifikojmë me jetët tona”
Jakupi u vu në vështirësi dhe u tha “Do ju lë Allahun amanet”.
Vëllezërit shkojnë sërish në Egjipt, kësaj here me Benjaminin. Kur Jusufi i sheh, i thotë shtrojini ushqimim dhe secili të rrijë me nga një vëlla. Benjamini mbeti i vetëm, e kësisoj, Jusufi i thotë meqenëse ti je vetëm, do të ha unë ushqim me ty.
“Si është babai yt?-e pyeti të vëllanë Jusufi.
Kur Jusufi e merr vesh, i nisin lotët. Benjamini mbetet i habitur.
“Ti po qan për babanë tim?”
“Më vjen keq”-i thotë Jusufi Benjaminit.
Jusufi e pyet… “Sa vëllezër jeni”
Kemi patur edhe një vëlla tjetër… ai ka qenë afër moshës sime. Por ai flitet që ka vdekur.
Jusufi e pyet… Të kishe patur mundësinë, ta kishte patur përballë, a do ta njihje vëllanë tënd?
Po patjetër, si nuk do ta njihja tim vëlla…” i thotë Benjamini.
“Do të të testoj”- i thotë Jusufi, duke shtuar “Këtu ku po rri, është edhe Jusufi”
I shkreti turbullohet. Fillon të shohë gjithandej, të shohë shërbëtoret. “Nuk po e dalloj” i thotë Benjamini, ndërsa Jusufi i përgjigjet… “Mos u lodh. Unë jam Jusufi.”
Xhebraili i pati thënë Jusufit, që kur të vijë Benjamini, atij duhet ta mbante atë aty dhe e dyta, të sprovohet Profeti Jakup, në testin më të vështirë të jetës së tij.
Çfarë bëri Jusufi. U dha ushqimin të gjithëve. Tek thesi i Benjaminit, do të vendoste kupën e tij të artë, që me t’u gjetur nga rojet jashtë shtetit, do ta çonte në burg Benjaminin. Jusufi i kishte treguar Benjaminit.
Kështu ndodh. Vëllezërit e pjesëtarë të tjerë të fisit, ndalohen. Hapen thasët, gjendet kupa e artë tek thasi i Benjaminit.
Ata, vëllezërit, duke mos e ditur që përballë kishin Jusufin, nisin sërish të flasin me gjuhën e tyre, pa e ditur se Jusufi i kuptonte.
Thonë…”shikoni, edhe ky si Jusufi, njerëz të këqinj, shikoni çfarë bëjnë”
Jusufi në atë moment ka dashur t’u flasë, por ka mbajtur veten. Benjaminin e mori me demek si të burgosur. Këtë ai e bëri, që t’u kujtonte vëllezërve zullumin që kishin bërë me të.
Në këtë moment, vëllezërit e Jusufit nisin të përballen me brejtje të fortë në ndërgjegje. Veçanërisht vëllai i madh i cili u thotë vëllezërve të tij që nuk mundet dot më, t’i dalë përpara babait për t’i thënë sërish se një tjetër fëmijë i ka humbur.
Elvisi: Vëllezërit thanë, nuk shkon më kjo punë. Vëllai i madh tha, “për Zotin, kthehuni tek baba se unë s’mundem t’i dal më përpara. Ai mbeti në Egjipt.”
Jakupi kur u përball me fëmijët, pyeti, ku është Benjamini?…Jakupi ishte në moshë të thyer dhe u thotë… “do të shkoni sërish në Egjipt, do të gjeni Benjaminin dhe Jusufin”.
Udhëtimi i fundit, përballja me të vërtetën dhe bërja realitet e ëndrrës së Jusufit alejhi selam
Elvisi: Erdhi koha për të shkuar sërish për në Egjipt. Kësaj here, udhëtimi ishte i fundit. Rrugës thonin ‘kemi bërë gabim, Zoti na faltë’, ‘kemi lënduar babën’… kur erdhën, ishin të mbaruar për ushqim, me babain, vëllai i madh endej nëpër Egjipt…
Jusufi përballet sërish me vëllezërit e tij. I pyet… “ku mendoni se është Jusufi?”
Ata nisin të flasin në gjuhën e tyre… Jusufi i dëgjonte dhe ua kthen në gjuhën e nënës.
“Unë jam Jusufi, ky është vëllai im, na ka begatuar i Madhi Zot për sinqeritetin që kemi patur. Kush është i deovtshëm dhe i durueshëm, Zoti nuk ua humb punën njerëzve të mirë”
Vëllai i madh, që ishte penduar, i thotë Jusufit… “Pash Zotin o vëlla, na dëno, e meritojmë”.
Jusufi i thotë… “Jo, unë do t’ju fal”. Vëllai i madh i thotë “Po na fale, na ke dënuar më shumë”.
“A doni ju dënim? Dënimi im është ky…” dhe Jusufi çohet në këmbë, shkon pranë të vëllezërve dhe i përqafon. Aty kanë qarë për një kohë të gjatë.
Të gjithë e ndjenë veten mirë. Jusufi ndërkohë, kishte një merak të madh, babain. Ai e heq këmishën e vet dhe i thotë “kush nga ju do të shkojë me kalë më shpejt, këmishën time, sa ta takoni babain, t’ja hidhni tek sytë, sepse do t’i kthehet shikimi”.
Jakupi ndërkohë, në Palestinë, ishte veshur e rregulluar, kishte dalë… thoshte “ndjej që diçka e mirë po ndodh”.
Në Kur’anin Famëlartë thuhet… “Unë po e ndjej, erën e birit tim”.
Vëllai që kishte marrë këmishën e Jusufit, erdhi dhe iu drejtua babait…
“ Kam ardhur me përgëzim baba, por përpara se të të them se çfarë ka ndodhur, vendose këtë këmishë në sytë e tu”
Jakupi e vendos këmishën në sytë e tij dhe nis të shikojë. Pyet.. “o bir me çfarë do të më përgëzosh”
“Të përgëzoj baba, me Jusufin i cili është gjallë”
Pyetja e parë e Jakupit ishte… “si e gjete Jusufin”.
I biri i tregoi… si ta gjeja? Njeriu më i nderuar në botë. Njeri me pushtet, njeriu më me pasuri, fjala e tij zë vend sa flitet, të gjithë nën udhrat e tij”
Jakupi, shikoni sesi është niveli i Pejgamberit… i thotë të birit. “Nuk të pyeta për këtë… si ishte im bir me besimin në të Madhin Zot”
“Të gjithë e duan o baba, ushqimin ua ka shpërndarë të gjithë botës. Njerëzit e duan sepse ai po shpërndan fjalën e të Madhit Zot”.
“Tani u kënaqa”- i përgjigjet Jakupi. “Çfarë kërkon Jusufi?-i thotë më tutje Jakupi të birit.
“Ai është i pari i vendit dhe na ka caktuar një vend atje, ku ne do të jetojmë”
E kështu, ata nisen, ndërsa Jakupi i thotë djalit… “më ka marrë malli për tim bir”.
Për ta mbyllur tani, e për të dalë tek ëndrra e Jusufit.
Përpara tij, Jusufi në fron, me kurorën e mbretit. Përpara vijnë babai nëna dhe vëllezërit që ishin pas. Jakupi, bashkëshortja dhe 11 vëllezërit i bëjnë sexhde për respekt Jusufit.
Pas sexhdes, Jusufi shkon dhe përqafon me mall prindërit. Babait të tij i thotë këto fjalë: “Kjo ishte komenti i ëndrrës që e kam parë i vogël o baba… Zoti e bëri sot atë realitet”
Jusufi e uli në fron Jakupin, të atin, në fron. Jusufi bën të fundit veprim, dhe thuhet, i ka kërkuar Zotit që të ikë nga kjo botë, pasi e mbaroi misionin e tij.
Ka thënë… “O shpikësi i qiejve dhe i tokës, o Ti që më mbrojte në këtë botë dhe do të më mbrosh në botën tjetër… më bëj të vdes musliman dhe më bashko me njerëzit e mirë”.
Jo shumë larg kësaj, Zoti i Gjithësisë i ka marrë shpirtin dhe ai është nga njeëzit më të lartësuar në xhenet. Pra, mos harroni një gjë. Jeta në këtë botë është e shkurtër. Do të shkojmë tek i Madhi Zot. Këtë nuk do të duhet ta harrojmë kurrë.