Në episodin e kësaj të hëne në ‘Histori për Profetët në Kur’an” vijojmë rrëfimin e historisë së Profetit Musa, të parit e vetmit Pejgamber që foli drejtpërdrejt me Krijuesin e Gjithësisë. Duke iu referuar episodit të mëparshëm, Elvisi kujton fjalët që thuhen në Kur’anin famëlartë, fjalë të cilat janë një amanet për çdo besimtar musliman e muslimane.
Elvisi: Dijetarët e Islamit thonë, pasi Zoti i Gjithësisë i ka thënë Musait e Harunit që diktatorit më të madh që ka parë historia botërore, t’i flasin atij fjalë të buta… pra, pas kësaj, nuk i tolerohet asnjë muslimani e muslimaneje, që të flasin vrazhdë. Ne e kemi amanet, nëse duam t’i tregojmë dikujt për islamin, që t’u flasim me gjuhën më të kulturuar të mundshme. Pra çdokujt që ne mundohemi t’ja shpjegojmë islamin, jemi të urdhëruar me fjalë të prerë nga i Madhi Zot, me fjalë të buta, të mençura, të urta dhe me moral të plotë brenda.
Pasi Musa alejhi selam komunikon drejtpërdrejt më Allahun, ai niset drejt Egjiptit, për t’u përballur me Faraonin. Elvisi e shpjegon debatin mes të dyve, në tre korsi të ndryshme të saj, për të përcjellë po ashtu dhe mesazhet domethënëse që na vijnë përmes shembullit të Pejgamberëve.
Le të nisim rrëfimin.
Elvisi: Musa, niset tek Faraoni së bashku me të vëllanë, Harunin.
Zoti i Gjithësisë thotë në Kur’an…”Shko ti dhe vëllai yt tek Firauni, e derisa të shkoni tek ai, asnjë sekondë mos ndaloni të më madhëroni Mua”
Të gjithë e dinin, që një diktator që vret fëmijën, çfarë mund ta kishte Musain? Kësisoj, Musa përmend sërish frikën.
Ai thotë… “O Zot, kemi frikë unë e Haruni, se mos Faraoni i kalon kufijtë dhe do të na vrasë”
Zoti i Gjithësisë i përgjigjet… “Ik ti dhe vëllai yt, me argumentet që kam dhënë Unë”.
Elvisi: Cilat ishin dy argumentet? E para, shkopi që u kthye në gjarpër. Dhe e dyta, Krijuesi i Gjithësisë i tha Musës që të vendosë dorën në krahahor, në anën e djathtë… dhe do ta nxjerrësh atë, të bardhë si drita e diellit.
Do të shpjegojmë, përse këto dy argumente. Musa e Haruni i shkojnë Faraonit, por ishte shumë e vështirë ta takoje. Faraoni nuk mund të takonte çdokënd. Ka qenë e vështirë, derisa u dha leja. Musai e Haroni shkojnë tek Faraoni. Bëhet një sfidë, në tre korsi.
E para sfidë. Ajetet në Kur’anin famëlartë janë shumë të bukura, por unë do të mundohem t’i përcjell…
Musai i thotë: Ne kemi ardhur nga Zoti i Madhërishëm.
Faraoni shumë dinak, i dijshëm, ishte rritur që në djep me dituri.
Ai i thotë: “Ti guxon o Musa, kur ke bërë një krim më përpara, ne e morëm vesh dhe u informuam por ti ike… e ti tani,vjen përpara meje për të më mësuar një Zot tjetër?”
Musa pranon… “Unë e bëra atë, por isha i padijshëm. I kërkova falje Zotit tim. Ai më fali dhe pastaj më udhëzoi mua. Por ti që më përmend këtë gjë, që i ke bërë aq shumë të këqija Ben Israilëve?
Pra, gjëja më e çuditshme është, që një person për herë të parë guxonte t’i fliste Faraonit në këtë mënyrë. Kur Musa i përmend disa krime që Faraoni kishte bërë, ky i fundit e mbyll këtë korsi të parë. Nuk po ia dilte dot.
Pyetja tjetër, që i bëri Faraoni: “Kush është ky Zoti Madhërishëm që të ka dërguar ty”
Pyetja ishte ironike. Të thoje se ka Zot tjetër përveç tij, dënoheshe me vdekje. Ai me ironi fliste, me idenë se në fund do ta vriste Musanë.
Tani, çfarë duhet të kemi parasysh këtu? Ka muslimanë e muslimane që neve, pa dashje, na turpërojnë. Bëjnë biseda të kota, të nivelit të vogël. Kaloi macja zezë, do më ecë ters, macja bardhë do më bëhet dritë jeta. Apo Zoti na Faltë, shkojnë nëpër fallxhorë nëpër vende të ndryshme, çojnë ndonjë rrobë të trupit me mendime se jeta do t’u bëhet mbarë. Kjo është turp.
Kur Faraoni i tha “Kush është Zoti i Madhërishëm?”, një përgjigje ka për këtë!
Ajo është… “Zoti i Qiejve dhe Tokës dhe çfarë ka ndërmjet tyre, nëse ju logjikoni”
Hera e parë që Faraoni mbeti në klasë, sepse deri sot thoshte se ishte zoti i Tokës, por u përball me Zotin e Gjithësisë. Në këtë moment, Faraoni buzëqeshi me ironi.
Musa i thotë… “E di kush më ka dërguar? Zoti që ju ka krijuar të gjithë juve dhe ato që kanë qenë përpara jush”
Elvisi: Tani, ne kështu duhet të jemi me argumente. Çfarë po thoshte Musa? Po pyeste, ti faraon çfarë ke krijuar? Ne jemi aktualisht 8 miliardë njerëz në Tokë. Kush i krijoi këto 8 miliardë nga barqet e nënave? Më thuaj një krijesë që bën… nuk krijon dot. Pra Musai këto po i thoshte faraonit. Por ai sërish, foli me përçmim.
Musai e ngriti nivelin e besimit. Faraoni mbeti sërish në klasë, në aspektin fetar. Tani, e dini ju se çfarë bëjnë zullumqarët?
Faraoni u ngrit në këmbë dhe tha… “Musa, nëse nuk i mohon këto fjalë, që ka Zot tjetër përveç meje, do të të burgos”.
Musa i përgjigjet… “Ti do të më dënosh me burg? Me vrasje? Edhe nëse unë të vij me argumente të qarta?
Këto dalim tek korsia e tretë. Argumentet dhe fuqia.
Elvisi: Faraoni i thotë… “Mi thuaj këto argumente…”
Musa hedh në tokë shkopin e tij. Dhe shkopi bëhet në atë gjarpër të madh.
Faraoni kurrë nuk kishte menduar t’i rrezikohej jeta. E di cili është problemi i shoqërive diktatoriale? Faraonin e pyetën, si u bërë Faraon? Ai u tha, ‘u bëra sepse në jetën time askush nuk më tha ‘mos e bëj këtë’.
Njeriu është i paditur. Prandaj islami na thotë të këshillohemi, sepse të duket vetja i madh. Ke ardhur nga një pikë uji dhe një ditë do të shkosh në varr, por në midis këtyre, ngaqë hutohesh e nuk ke njerëz të mençur afër, të duket vetja sikur kush je. Ne jemi askushi, nëse i Madhi Zot nuk do të na krijonte. Por nëse nuk na çon në xhenet, ne sërish, do të mbetemi askushi.
Për herë të parë, Faraoni trembet. Nuk e kishte provuar ndonjëherë në veten e vet frikën. Musa po ashtu i tregon dorën e tij të cilën e nxorri nga kraharori. Dora ishte bardhë si drita e diellit dhe iu drejtua Faraonit.
“Me këto dy argumente kam ardhur para teje o Faraon”-i thotë Musa.
Tani, çfarë nënkuptonin këto të dyja. Zoti i Gjithësisë me anë të gjarprit të madh po e frikësonte Faraonin, ndërsa me anë të dorës si drita e diellit, ishte paqja. Pra, zgjidh o Faraon, do dënimin apo paqen me Zotin e Gjithësisë.
Faraoni ishte shumë dinak. Hera e parë, që ai sfidohej. Ai ka qenë më i fuqishmi i dinastisë së Faraonëve.
Ai iu kundërpërgjigj… “Atëherë ti po bën magji?” Pyeti këshilltarët e ministrat e tij: Çfarë këshilloni të bëjmë me këtë person?
Ata fillimisht e nxjerrin nga gracka, duke i thënë ta lërë të ikë e të mblidhen të gjithë magjistarët më të mëdhenj e ta mundin (Musain). Por Faraoni tanimë, ishte turpëruar, ai donte ta mundte Musën. Faraoni e lejon të largohet dhe mbledh magjistarët më të mëdhenj.
Vjen dita kur Musa del përballë magjistarëve që ishin mbledhur në një ditë feste atje. Këta të fundit i thanë Faraonit, se çfarë do të fitonin nëse mundnin Musën. Faraoni i tha se kush dilte fitues, do të bëhej i afërt me të, përtej pasurive e tokave. Magjistarët u karikuan edhe më tepër.
Para se të fillonin atë që kishin për të bërë, Musa alejhi selam i afrohet, i këshillon… “Mos i mvishni sot Zotit të Gjithësisë gënjeshtra… kjo që bëni ju është magji, është e keqe. Kthehuni në rrugën e drejtë”
Musa kishte në krah Xhebrail Eminin. I thotë Xhebrailit… “Kanë dalë sot, të sfidojnë rrugën e Zotit… sa i urrej unë ato”
Xhebrail Emini i përgjigjet… “Mos u nxito Musa, se vetëm Zoti i di zemrat”
Musa nuk e kuptoi fillimisht këtë fjalë. Tanimë fillon gjithçka. Faraoni jep shenjën. Magjistarët kishin vete litarë e gjëra që bënin magji. I hodhën në të njëjtën kohë, dhe magjia u bë e madhe. I verboi të gjithë njerëzit.
Të shpjegoj. Magjitë ndahen në dy. Magji imagjinare, që ty të duket, por nuk është ashtu, por magjia ta bën të duket që ta shohësh ndryshe nga çfarë është realiteti (kështu ishte në rastin e Musës) dhe magjia reale. Këto çështje po i trajtojmë në Podcastin që po kryejmë për syfyr.
Ata e hodhën magjinë, sa edhe vetë Musai, thuhet në Kur’an… “Ndjeu brenda, por nuk shprehu asgjë”
Zoti i Gjithësisë i fol Musasë… “O Musa, mos u frikëso. Ti je më i larti. Hidhe shkopin që ke në dorë”.
Çfarë ndodhi në këtë moment kulminant? Dëgjoni në videon e mëposhtme vijimin e rrëfimit (Rrëfimi vijon nga minuta 26:25)